Bujqit dhe blegtorët që kanë punuar në ndërmarrje bujqësore apo kooperativa deri në vitin 1992 do të kenë mundësi të përfitojnë pension mbi bazën e viteve të punës të njohura zyrtarisht.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj përmes një postimi në rrjete sociale, e cila bën të ditur se ky ligj lehtëson procesin e vërtetimit të viteve të sigurimit.
“Miratohet lista e ish-ndërmarrjeve bujqësore, sipas vitit të krijimit dhe territorit të ushtrimit të aktivitetit, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore për bujqit dhe blegtorët!
Ky vendim i rëndësishëm i hap rrugën njohjes së periudhave të punës deri në vitin 1992 për mijëra punonjës të sektorit bujqësor, të cilët kanë kontribuar ndër vite në ndërmarrje shtetërore dhe kooperativa bujqësore, themelore për ekonominë rurale: në mbjellje, korrje, vaditje, grumbullim, përpunim dhe mirëmbajtje të tokës bujqësore.
Ligji lehtëson procesin e vërtetimit të viteve të sigurimit, duke kapërcyer vështirësitë e dokumentacionit të munguar dhe duke shmangur kostot administrative dhe gjyqësore për qytetarët që nuk kanë arritur të plotësojnë periudhën minimale për përfitimin e pensionit.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon angazhimin për ndërtimin e një sistemi sa më gjithëpërfshirës dhe dinjitoz për njerëzit e punës në bujqësi drejt vizionit #Bujqësia2030 për një bujqësi të qëndrueshme”, shkruan Denaj.