GREQI– Duke iu bashkuar qytetarëve të tjerë, të cilët kanë injoruar ndalimin me ligj të cigares dhe që tymosin duhan kur dhe ku të munden, edhe deputetët grekë pijnë haptazi cigare pikërisht në parlament, pikërisht aty ku kanë miratuar ligjin kundër duhanit. 

“Karshillëku i tyre ka irrituar 88 nga 300 deputetët e parlamentit, të cilët i kanë shkruar një letër kryetarit të Parlamentit për marrjen e masave kundër kësaj sjelljeje", shkruajnë mediat greke. 

Lëvizja "antiduhan” në Parlament është krijuar nga deputeti i ND, Andrea Psihari i mbështetur nga i PASOK, Pirro Dhima. 88 deputetët theksojnë në letër se “situata në Parlament është e patolerueshme dhe duhet të përmbyset”. Ndër ata anëtarë të Parlamentit që kanë nënshkruar, janë ish ministrat e Shëndetësisë dhe shumë ministra të qeverisë aktuale greke. 

Media thotë se gjatë debateve parlamentare, pjesa më e madhe e deputetëve ndodhen në salla të tjera duke pirë whisky dhe duke ngrënë pa pagesë, ndërkohë që miliona qytetarë vuajnë pasojat e masave shtrënguese ekonomike të ndërmara nga qeveria. 

Greqia është një nga vendet me nivelin më të lartë të duhanpirjes në BE dhe është dorëzuar përpara detyrimit ligjor për ndalimin e cigares në mjedise publike. Njerëzit pijnë lirisht cigare në bare, kafe, restorante dhe mesa duket edhe në parlament. Madje, nuk ka qenë shumë e hershme koha, kur grekët pinin të pashqetësuar cigare edhe në supermarkete e spitale.