Regjizorja e njohur durrsake, Driada Dervishi, hapi këtë fundjavë sezonin turistik në Vlorë me komedinë “Ah paratë, paratë”. Komedia e njohur e britanikut Ray Cooney u ngjit në skenën e teatrit “Petro Marko” nën interpretimin e emrave të njohur të skenës si Artan Imami, Olta Gixhari, Artan Mamaj etj. “Funny money”, titulli në origjinal i kësaj pjese, është një farsë e shkruar në vitin 1994. Për 30 vjet me rradhë komediografi i shquar shkroi komedi duke u kthyer në mjeshtër të teknikës së saj.

Protagonistë të kësaj pjese janë një çift që aksidentalisht ngatërrojnë valixhen, ndërsa po udhëtonin në autobus. Valixhja e famshme që gjejnë kishte plot 1 milion euro dhe çiftit duhet se i troket fati në derë. Ndërsa nisin të thurin plane për të udhëtuar drejt Barcelonës me valixhen me para shumë trokitje të paparashikuara,miq të ftuar e të paftuar i bien derës, duke e shtyrë përherë e më shumë orën e nisjes. Sa më shumë gënjeshtrat zmadhohen aq më e komplikuar bëhet dhe situata për të gjithë.