Një jaht me gjatësi 33 metra është ankoruar sot paradite në kalatën 5 të portit të Durrësit. Jahti me emrin “Destiny” ka mbërritur nga Malta, dhe do të lundrojë në bregdetin shqiptar të Adriatikut dhe Jonit, me drejtim ishullin e Korfuzit.

Sipas të dhënave të agjencisë pritëse, anija e regjistruar në La Valleta është ndërtuar në vitin 2003 dhe ka një personel shërbimi prej katër vetësh në bord. Mësohet gjithashtu se jahti që arrin shpejtësinë 25 milje/orë  do të qëndrojë 2-3 ditë në portin më të madh të vendit për të vijuar drejt jugut, pranë ishullit të Sazanit dhe Porto Palermos.

Po sot në kalatën 2 janë ankoruar edhe dy jahte të vegjël, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre që nga fillimi i këtij viti arrin në 65 gjithsej.