Detaje të reja kanë dalë në pah në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Përrenjas ku një minator humbi jetën.

Miniera e Kromit Katjel, ku humbi jetën Syrja Bego, mësohet se administrohet nga Gëzim Balla.

Në një lidhje telefonike për “BalkanWeb” ai u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i trishtuar dhe i keqardhur për tragjedinë e ndodhur.

Miniera, sipas Ballës, prej disa ditësh nuk ishte në gjendje pune për nxjerrjen e mineralit.

Ndërsa shton më tej se rrëqshqitja e një guri i cili përfundoi mbi Begon i mori jetën atij.

“Gjatë ditëve të fundit në galeri është punuar për të krijuar kushte optimale për punë. Sot rreth mesditës gjithçka ka qenë gati për rifillimin e procesit normal të punës. Drejtuesi teknik i kompanisë, Hysni Kllogjri, ka inspektuar kushtet e sigurisë në galerinë e minierës dhe para fillimit të punës ka trajnuar minatorët si zakonisht për të filluar punën, duke ju kujtuar zbatimin e të gjitha standarteve të sigurisë gjatë punës në galeri. Siguria e jetës së minatorëve është dhe do të jetë një nga parimet tona më të rëndësishme në këtë sipërmarrje. Përgjegjës turni Gëzim Kllogjri, në mesditë, më ka njoftuar për aksidentin tragjik ku një nga minatorët ka humbur jetën. Kjo ngjarje na ka shokuar dhe ndjehem mjaft i lënduar. Paraprakisht jam informuar se nga tavani i galerisë ka patur shembje dhe minatori 58 vjeçar është aksidentuar me vdekje, pasi është goditur në kokë nga një gur” – u shpreh Balla.