Detektivja e njohur private Shkënda Lili rrëfen vështirësitë dhe sekretet e jetës së saj profesionale. Në një intervistë ndryshe në programin “Jeta pa filtër” në News24, ajo pranon se në botën ku jetojmë privatësia është e vështirë për t’u ruajtur, por jep disa këshilla se çfarë mund të bëjmë për të qenë më të sigurtë.

Në vitin që lamë pas kërkesat që kanë mbizotëruar kanë qënë ato të grave dhe burrave që dua të zbulojnë tradhtitë bashkëshortore. Lili thotë se kërkesat e grave janë ato më ekstremet të cilat e vënë shpesh në vështirësi: “Gratë nuk mjaftohen me fotot e burrave në hyrjen e hotelit, ato duan video për të parë gjithçka ndodh në ambientet e brendshme, çka është e paligjshme.”

Sipas saj, burrat në pjesën më të madhe e kanë zbuluar vetë tradhtinë, por kërkojnë ndihmë për mbledhjen e provave dhe fakteve. Nga çështjet më delikate të punës së saj ajo etiketoi rastet kur prindërit janë të shqetësuar për fëmijët e tyre dhe duan t’i kontrollojnë.

Më të shpeshta janë ato të djemve që futen në botën e krimit dhe abuzojnë me substancat dhe të vajzave të cilat lënë orët e mësimit dhe shoqërohen e përdoren nga burra më të mëdhenj. Detektivja ka shpjeguar dhe disa nga format më klasike të përgjimit duke filluar me telefonin e deri te ndjekja nga pas e personit.

Rasti që i ka mbetur në kujtesë është ai i një gruaje që dhunohej prej vitesh nga bashkëshorti. Lili: “Ka qenë rasti i parë ku e kapa burrin e saj brenda orëve të para të ditës së parë të punës. Pas vërtetimit të tradhtisë, gruaja e pati më të lehtë të kuptohej nga familja dhe të kërkonte divorcin. U paraqit me shenja dhune në zyrën time, por askush nuk e mbështeste”.