Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) organizoi një panel diskutimi, ku u theksua domosdoshmëria e drejtësisë për të mbijetuarit dhe ndaljes së përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha ekzekutive e kësaj qendre, Feride Rushiti, tha se dhuna seksuale vazhdon të jetë barrë e rëndë për mijëra gra dhe burra që e kanë përjetuar gjatë luftës në Kosovë.

“Për barrën që ajo vazhdon t’i mbajë të heshtur mijëra gra edhe burra që kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës. Fatkeqësisht, edhe në vitin 2025, kur po e shënojmë këtë ditë në këtë situatë të rëndë globale, ku krizat, luftërat dhe konfliktet po zhvillohen, dhuna seksuale si armë e luftës po gjen zbatim në këto vende dhe mijëra gra dhe vajza, por fatkeqësisht edhe burra, po bëhen pre e fushëbetejës duke qenë të pafajshëm dhe duke bartur pasoja afatgjata jo vetëm për veten por edhe për shoqërinë dhe komunitetin në tërësi”, shprehet Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT.

Rushiti shtoi se përmes fushatës “Trauma nuk ka afat,” synohet që të mos heshtet më, të dëgjohen historitë e të mbijetuarve dhe të ndërmerren hapa konkretë.

Ndërsa Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u shpreh se Kosova është një udhërrëfyes global në luftën kundër dhunës seksuale në konflikt.

“Fatkeqësisht, ende ndodh që në shumë konflikte në mbarë botën, si në të kaluarën ashtu edhe sot, dhuna seksuale të përdoret si armë dhe si një strategji e qëllimshme lufte. Sot është një mundësi për ta pranuar këtë dhe për ta luftuar atë, por gjithashtu është një ditë për të festuar qëndresën dhe për të bërë thirrje për drejtësi. Të mbijetuarit nuk duhet të heshten apo të shpërfillen kurrë më, por duhet gjithmonë të njihen, të mbështeten dhe të fuqizohen. Ju e njihni dhimbjen, por po ashtu e njihni forcën”, ka thënë ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt pati edhe homazhe në parkun “Heroinat” në Prishtinë.