Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso i cili prej tre mandatesh ka mbajtur drejtimin e Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të PD-së, ka vendosur të mos rikandidojë më për këtë post. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Kaso ka bërë të ditur se vendimi i tij lidhet me dëshirën për tu përqendruar më shumë në përgjegjësitë e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Në këtë reagim, ai ka pasur dhe një falenderim e mirënjohje për kryetarin e Partisë Demokratike për besimin dhe mundësinë e dhënë për të drejtuar këtë strukturë të rëndësishme të partisë.

Postimi i Plotë:

Gjatë këtyre 12 viteve, sfidat dhe betejat nuk kanë munguar. Dhe betejën më të vështirë dhe më të rëndësishme, atë të rikthimit tek demokratët të simboleve dhe flamurit të Partisë Demokratike, ne e fituam! Një falenderim shumë i madh për të gjithë demokratët që me shpirtin e tyre të rezistencës dhe sakrificës, e mundësuan këtë fitore histore në kushte tejet të vështira!

Dua të falenderoj gjithashtu Kryetarin e Partisë Prof. Dr. Sali Berishën për besimin që më dha në përmbushjen e kësaj detyre, Sekretarin e Përgjithshëm për mbështetjen, si dhe të gjithë kolegët që më besuan dhe bashkëpunuan me mua në këtë rrugëtim. Faleminderit nga zemra të gjithëve.