15 prilli i vitit 1985, dita e varrimit të Enver Hoxhës, kishte zbrazur qytetin e Durrësit qysh në orën 8 të mëngjesit. Do të ndiqej ceremonia drejtpërdrejt nga televizioni. Një ditë e hirtë me shi. Askush nëpër rrugë. Edhe ata që e adhuronin sinqerisht udhëheqësin dhe ata që e urrenin si diktator, të gjithë ishin mbyllur nëpër shtëpitë e tyre.

Një aromë vdekjeje si shakullinë ere endej mbi qytetin bregdetar, gjë që e rëndonte më tepër atmosferën e zisë kombëtare. Ishte një “evakuim” i Durrësit brenda vetes. (Disa veteranë të Luftës së Dytë Botërore kujtonin se një shkretëtirë të tillë njerëzore Durrësi e përjetoi për rreth një vit, kur gjermanët e pushtuan, tetor 1943-nëntor 1944. Nga frika e zbarkimit të aleatëve, u dëbua popullsia, e cila u zhvendos në fshatra, Shijak, Kavajë, Tiranë. Nëpër rrugët e shkreta dëgjoheshin tek-tuk hapat e patrullave).

Piskama e çeliktë

Pamjet e xhiruara nga korrespodenti vendor dallonin nga të gjitha kronikat e qyteteve të tjera. Ishin të veçanta dhe për faktin se Durrësi kishte epitetin e kryeqytetit të komunikacionit, pra të lëvizjes me tre lloje transporti – detar, hekurudhor, automobilistik. Ndalimi i lëvizjes ishte ndalimi i jetës së qytetit. Madje, ora 13.00, në çastin e zbritjes së arkivolit nën dhe, trenat e udhëtarëve ndaluan mbi shina nëpër Shqipëri, aty ku i kishte kapur momenti! Sirenat e lokomotivave, tri anijeve në port, “Arbëria”, “Shkodra” dhe “Liria”, godisnin në ajër si piskama të frikshme.

Ngushëllime te njeri-tjetri

Duam nuk duam, por nuk ka pse të mos pranohet që indoktrinimi i shumicës së shqiptarëve ishte tejet “ballkanik”. Ky lloj “qytetërimi” është shfaqur ato ditë të 12-15 prillit në detaje tejet të papërfytyrueshme për ditët e sotme, por që atëherë dukeshin normale. Madje, sublime. Ja një rast. Në një port italian ishin në përpunim tri anije shqiptare. Me të mësuar me radiograme për vdekjen e Enver Hoxhës, ekuipazhet shkonin për ngushëllime te njëri tjetri!

Madje, ekuipazhi i njërës prej tyre, anije avullore, punoi dhe vetë me italianët që të ishte i pranishëm në Durrës apo në Tiranë ditën e varrimit. Donin të shoqëronin arkivolin. Detari, që ishte dëzhur në ruajtje të anijes, i mbinte sirenës së kujës qiellore. Radiograme ngushëllimi vinin nga anija “Tirana” që ndodhej në detin e Karaibeve, anija “Partizani”.

“Lërmë të të puth në faqe!”

Ato ditë kam takuar dy njerëz me diferencë moshe, por që lidheshin drejtpërdrejt ose tërthorazi me Enver Hoxhën. Njëri mësues, por edhe krijues, libretist veprimtarish shkollore dhe tjetra, një pioniere. I kisha dhe fqinj. Mësuesi, me biografi të keqe, që ishte dërguar për riedukim në hekurudhë, kishte shkruar libretin e përshëndetjes së pionierëve në një kongres grash që u mbajt në pallatin e sportit të Durrësit.

Kurse nxënësja, bija e një drejtori, bëri bujë, teksa recitoi këto vargje para Enver Hoxhës, i pranishëm në kongres: “Xhaxhi Enver, xhaxhi Enver! / Dorën përmbi zemër / ma vendos ngadalë. /Ajo rreh si zog. / Do të thotë dy fjalë: / Me dashurinë tënde / oh ç’më kënaqe. / Për të gjithë Shqipërinë / lërmë të të puth në faqe!”.

Dhe pse pa nivel artistik, këto vargje krijuan një atmosferë ngazëllimi në sallë. Kuptohet pas dy vjetësh, ditën e vdekjes, dëshpërimi i pionieres. Ndërkaq, autori i atyre vargjeve ka një histori tipike shqiptare. Për shkak të biografisë, në kohën e diktaturës nuk i përmendej autorësia. Por pas viteve 1990, ky autor ishte një nga krijuesit e PD-së së Durrësit. As tani nuk duhej t’i përmendej autorësia e përshëndetjes për Enverin.

Ka rreth një muaj e gjysmë që ka vdekur. U përkujtua me respekt dhe iu bënë homazhe publike për punën në arsim, krijimtarinë letrare.

Tre me fate të jashtëzakonshme

Takoj tre personazhe, që i lidh kontakti i drejtpërdrejt me Enver Hoxhën dhe që patën fate të jashtëzakonshme. Gazmendi ishte fëmija i 12-të i një familjeje të varfër punëtore. Por “nuni” i tij ishte vetë Enver Hoxha, që i kishte vënë emrin Gazmend. Merret me mend kontrasti i emrit të tij me ditën e varrimit të atij që e kishte quajtur ashtu.

Motra e heroit të popullit Vasil Laçi, që kishte hedhur plumba mbi një perandor, ishte takuar me Enver Hoxhën. Ajo ishte tejet e tronditur. Po aq e ishte dhe bashkëshortja e Heroit të Punës Socialiste Adem Reka, që shpëtoi vinçin lundrues dhe portin. Enver Hoxha shkoi vetë në kabinën e heroit ku la një shënim. Biga “Adem Reka” u bë vend pelegrinazhi nga e gjithë Shqipëria. U bë dhe një film, “Horizonte të hapura”. U vu në skenën e teatrit “A. Moisiu” një dramë, “Flamur në stuhi”, në shfaqjen e së cilës ishte i pranishëm Enver Hoxha. U realizua një përmendore. U shkrua një libër biografik, autor i të cilit ka qenë deputet i Durrësit, në vitet 1992-2004. 

Humor me “dhimbjen e kthyer në forcë”

Megjithatë Durrësi shfaqi dhe anën e papritur. Një muaj e ca pas varrimit të Enver Hoxhës, plasi një batutë me humor të zi. Ministri i Komunikacioneve, një gjirokastrit i rritur në Durrës, kërkon në telefon kryetarin e degës së shfrytëzimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave, një ishmak i famshëm për humorin.

Kishte mbaruar gjimnazin natën, por kishte në varësi 70 veta nga 120 gjithë aparati. Përveç dispeçerëve më arsim të mesëm, kishte ekonomistë me arsim të lartë, inxhinierë transporti, jurist, po që nuk pranin të merrnin përsipër postin e kryetarit të degës së shfrytëzimit, për shkak se duhej të përgjigjeshin orë e çast para drejtorit të përgjithshëm, ministrit, ministrave, deri dhe kryeministrave, pa përmendur kryetarë dhe zëvendëskryetarë komitetesh ekzekutive, shefa sektori në kryeministri dhe komitetin qendror.

Thjesht, ishmaku, një komunist që vinte nga detyra më e thjeshtë në hekurudhë, kishte aftësinë t’u thoshte të mëdhenjve atë që donin  të dëgjonin , qoftë dhe një mashtrim të vogël. Le të rikthehemi te ministri, i cili, gjithë qejf, pyet: “O Sule, si është puna, që ju po tejkaloni detyrat tani?!”. Hazër-xhevap vjen përgjigja: “E kemi kthyer dhimbjen në forcë, shoku ministër!”

Ministri ia këput gazit. Në fakt, dialogu ishte dinak, “i koduar”. Para një muaji ishte shkarkuar drejtori i përgjithshëm, i cili, një vit më parë ishte zëvendësministër dhe sekretar i komitetit të partisë së dikasterit, por që shkonte keq me titullarin. Plani po ecte pa drejtor. Kur erdhi në Durrës zëvendësministri si drejtor, kryetari i degës së shfrytëzimit, që shkonte keq me të, dha dorëheqjen dhe u dërgua në inspektoratin hekurudhor.

Me largimin e drejtorit, ministri e emëroi sërish kryetar të degës së shfrytëzimit. Kjo “dhimbje e kthyer në forcë” ishte moto zyrtare për vdekjen e Enver Hoxhës, por në rastin e treguar, ishte humor me largimin e një njeriu, kundërshtar të ministrit dhe kryetarit të degës së shfrytëzimit. Ishte një humor i rrezikshëm në maj të vitit 1985. Por sigurimi nuk kuptonte asgjë.

Epilogu

Më 13 prill 1985, portit detar të Durrësit iu dha emri i Enver Hoxhës. Kurse në vitin 1983, në 75-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës kantieri detar i bëri dhuratë Enver Hoxhës maketin e një anijeje mallrash. Por 6 vjet më vonë, në shkurt 1991, kundër Enver Hoxhës në Durrës të parët që u ngritën ishin punëtorët e portit dhe të kantierit të riparimit dhe prodhimit të anijeve.

Kolektivi punonjës i kantierit, pak muaj para legalizimit të pluralizmit, vuri përpara anëtarë të byrosë politike. Bujë e madhe në Durrës. Nuk pritej nga një kolektiv “revolucionar”, që u bë një nga bazat e opozitës antikomuniste dhe që ustallarët e tij morën rrugën e eksodit në mars dhe gusht 1991 me anijet që ndodheshin në port.

Pikërisht, atë ditë kur rrëzohej përmendorja e Enver Hoxhës në Tiranë, punëtorët e kantierit të riparimit dhe prodhimit të anijeve dhe të portit detar “Enver Hoxha” shkuan pasdite para sheshit në hyrje të portit dhe hoqën bustin e Enver Hoxhës.