DURRES, 21 prill 2013– Një grup të rinjsh të Partisë së Gjelbër, kanë nisur një fushatë pastrimi vullnetar të plazheve të qytetit të Durrësit, të cilat janë të ndotura nga papastërtitë. Kjo nisëm mbahet në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës, që ka për qëllim të sjellë në vëmendje të opinionit publik rëndësinë dhe vlerat e rruzullit tokësor dhe të elementit bazë natyror të tij.

Aksioni i radhës i vullnetarëve të Gjelbër pas plazhit të Currilave, ka qenë plazhi i Durrësit, bregdeti i të cilit është më i frekuentuari gjatë stinës së verës. Organizatori i kësaj nisme, Besim Sukthi, tha se të rinjtë tashmë e kanë kthyer në traditë të ndërmarrin një sërë veprimtarish si pastrimin e territoreve publike, mbjelljen e pemëve dhe aksione të tjera konkrete në terren që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e qytetarëve ndaj çështjeve mjedisore. Sipas Sukthit, kjo ditë duhet të shërbejë si një ditë reflektimi dhe sensibilizimi për të ndalur shkatërrimin e mëtejshëm të tokës.

Nëpërmjet këtij aksioni të rinjtë kanë dhënë jo vetëm një shembull angazhimi qytetar për mbajtjen pastër të mjedisit që na rrethon, por edhe kanë apeluar ndaj problemeve kryesore që lidhen me degradimin e tokës, si rezultat i braktisjes dhe keqpërdorimit të saj, ndotjen nga mbetjet urbane e industritë kimike, erozionit të shkaktuar nga shpyllëzimet masive etj.

Vullnetarët, veç punës për pastrimin e zonës turistike, apeluan që pushteti vendor e qëndror të  investojnë më shumë për të përmirësuar infrastrukturën mjedisore, në mënyrë që qytetarët të kenë ku t’i hedhin mbeturinat gjatë frekuentimit të plazhit në verë.

/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/