Durrësi është një nga qytetet më të rëndësishëm në Shqipëri përsa i përket trashëgimisë kulturore. Por ndërsa më 29 shtator festohej dita kombëtare e trashëgimisë kulturore asnjë aktivitet nuk ishte programuar për t’u zhvilluar pranë monumenteve të shumta antike apo muzeve historikë. Turistë të rastësishëm ishin të vetmit vizitorë në Amfiteatrin e qytetit apo në monumente të tjera të rëndësishme për historinë e qytetit 2500 vjeçar, ndërkohë që drejtoria rajonale e Kulturës Kombëtare nuk kishte hartuar asnjë axhendë të veçantë apo qoftë edhe një vizitë të organizuar në nivel shkollash.

Nga ana tjetër qytetarët durrsakë, megjithëse në këtë ditë vizitat nëpër monumente apo muze janë falas, nuk përfituan aspak për të njohur më nga afër vlerat historiko-kulturore që mbartin këto dëshmi të historisë së vjetër dhe e re të qytetit dhe të kombit tonë. Nga ana tjetër Muzeu Arkeologjik, më i rëndësishmi i këtij lloji në vendin tonë, vazhdon të qëndrojë i mbyllur prej më shumë se një viti, në pritje të përfundimit të rikonstruksionit.

Ndërkohë Ministria e Kulturës kishte programuar për atë ditë disa aktivitete që konsistonin në vizita në muze kombëtarë, parqe dhe monumente kulture. Në të njëjtën në Parkun Arkeologjik të Apolonisë u hap ekspozita me foto të gërmimeve të ekspeditës shqiptaro-franceze në qytetin antik, ndërsa në kalanë e Krujës, me iniciativë të Muzeut Kombëtar “Gj.K. Skënderbeu” dhe atij Etnografik, u organizua një koncert me grupin karakteristik të Krujës.

Po përveç aktiviteteve promovuese apo vizitave të organizuara kjo ditë duhet të shërbente pikë së pari si një ditë reflektimi për gjendjen në të cilën ndodhen pjesa më e madhe e monumenteve anë e kënd vendit dhe rrugëzgjidhjet për mirëmbajtjen e tyre.