Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, Partia Demokratike, dega Durrës, ka dalë me një deklaratë për shtyp për të denoncuar disa nga mega aferat e viteve të fundit të qeverisë Rama, siç i quan selia vendore e PD.

Viola Kapidani, sekretarja për marrëdhëniet me publikun, u ndal fillimisht në denoncimin e grabitjes së portit të Durrësit dhe dhurimin e tij investitorit Mohamed Alabbar.   

“Porti i Durrësit, një port mijëra-vjeçar dhe një nga më të vjetrit në Europë, i shtrirë në Adriatik dhe më i madhi në vend me një sipërfaqe mbi 1.4 milionë m² dhe vlerë prej 3.8 miliardë eurosh, iu “dhurua” investitorit Mohamed Alabbar nga Edi Rama dhe Emiriana Sako, në kundërshtim me çdo rregull dhe ligj të shtetit shqiptar. Në realitet, përfituesi i vërtetë i kësaj marrëveshjeje është vetë Edi Rama.

Fillimisht, Edi Rama u zotua publikisht se projekti do të financohej vetëm nga sektori privat dhe se shqiptarët nuk do të paguanin asnjë qindarkë. Por e vërteta është krejt ndryshe. Për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano, Rama ndryshoi ligjin e prokurimeve dhe, në kundërshtim me ligjin, porositi një projekt që kap vlera midis 1.3 dhe 2 miliardë eurosh. Vetëm për tre vitet e ardhshme, taksapaguesve shqiptarë, nga Vermoshi deri në Konispol, do t’u merren mbi 400 milionë euro. Për më tepër, tenderi për ndërtimin e këtij porti ka dështuar, pasi asnjë kompani nuk ka treguar interes. Kjo është një nga barrët më të rënda financiare që qeveria e Edi Ramës ka vendosur ndonjëherë mbi qytetarët shqiptarë”, tha Kapidani.

Më tej, ajo u ndal në investimet e tjera të realizuara në Durrës, të cilat për selinë blu janë afera që rëndojnë xhepat e qytetarëve durrsakë.

“Të mos harrojmë disa prej aferave më flagrante të kësaj qeverisjeje:

Ekoparku në Spitallë: Një aferë ku familjarët e Edi Ramës, pa asnjë procedurë konkurruese, kanë përfituar 11 milionë euro.

Transportimi i mbetjeve: Bashkia Durrës paguan mbi 40 euro/ton për transportimin e mbetjeve në inceneratorin e Tiranës, një objekt që nuk ekziston, duke konsumuar 40% të buxhetit të bashkisë.

Veliera: Një projekt korruptiv në zemër të qytetit, i nisur nga Vangjush Dako, i cili ka përpirë dyfishin e fondit të miratuar dhe, pas 10 vitesh, ende nuk ka përfunduar.

Në ditën simbolike kundër korrupsionit, PD Durrës u angazhua se do të denoncojë çdo aferë korruptive dhe shkelje të ligjit nga kjo qeveri si dhe të promovojë një qeverisje të ndershme dhe transparente, duke mbrojtur fondet publike dhe interesat e qytetarëve.