Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë ku u dogjën tre makina në lagjen ‘Pavarësia’ në Vlorë.

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë vënë në pranga porositësin e vënies së zjarrit Julian Çobo 32 vjeç, si dhe ekzekutori Kreshnik Yzeiri, 40-vjeç. Në kërkim është shpallur Elton Lushaj, 41 vjeç, banues në Vlorë.

Policia thotë se nga hetimet, rezulton se Julian Çobo ka bashkëpunuar me 2 të tjerë, për djegien e 3 automjeteve, për motive të cilat policia nuk i bën të ditura duke qenë se hetimi vijon.

Bëhet e ditur se Kreshnik Yzeiri, është nisur nga zona e stacionit të trenit në lagjen 24 Maji në Vlorë, është ndalur në një karburant ku ka pirë kafe, teksa më pas bidonin e ujit gjysmë litri e ka mbushur me benzinë për ta përdorur për t’i vendosur zjarrin automjeteve.

Të gjitha këto lëvizje janë vëzhguar pas ngjarjes nga policia e Vlorës, teksa janë regjistruar si prova materiale tashmë. Personi në fjalë dyshohet të ketë qenë i veshur me bluzën e zezë dhe kapale në kokë Sa është afruar pranë makinave është maskuar për të humbur gjurmët.