(Një kujtesë e vogël për një “gur” të madh themeli në “godinën” 100 vjeçare të  shtetit shqiptar)

Nuk ka asnjë arsye të mos e themi “troç” se kleri katolik ndër motet e shekujt  e Shqiperisë së mjerueme, veçanërisht  nën ato të territ e tmerrit rreth 450 vjeçarë turko-osman ka qenë drita, zemra, shpirti, truri e frymëzimi i pasosun i atdhedashurisë dhe vlerave më të mira morale e materiale të shqiptarisë, fatësisht gjithnjë me kahje nga perëndimi…

Fletorja “Shqipëria e Re” e datës 10 janar 1933, do ta “thoshte” botërisht se:  “…Të tjer klerikë të Shqipërisë  mallkonin shqipen dhe Shqipërinë, kleri franceskan derdhte gjakë, djersë dhe inteligjencë, për të zhvilluar gjuhën dhe ndjenjat kombëtare të lirisë dhe pavarësisë..”. Plejada e  këtyre klerikëve është e madhe sa vetë historia jonë, por ne me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë po “veçojmë”, atdhetarin e meshtarin Dom Nikollë Kaçorri, firma e të cilit mbi aktin e shpalljes së pavaresisë, është sot e mot një qiri drite i pashuar, në altarin e Shqipërisë Europiane…

Dom Nikollë Kaçorri, biografia

Dom Nikolla lindi në vitin 1862 në familjen “Kaçorri” në fshatin Krejë të Lurës dhe ishte “frut i rrallë” i një dashurie të “ndaluar” për “ligjet” e kohës. Ai ishte djali i katolikut Vokërr Kaçori dhe muslimanes Hanë Vladi. Vlen të theksohet se përkundër ligjeve osmane Lura ishte  njëra nga trevat sfidante të kësaj “klime” që kultivonte pushtuesi shekullor turk.

Në Lurë muslimanët (shekulli XIX N.B.) ishin ende gjysëm të krishterë, e të krishterët gjysëm “musliman”. Në Lurë njëri vella ishte musliman e tjetri katolik që ishte edhe kryeplak fshati, njeri festonte Krishtlindjen e tjetri  Bajramin…( Lovro  Mihaçeviq; Nëpër  Shqipëri 1883-1907, mbresa  udhëtimi, fq.31). 

Në ketë ambient “kontraditor” çifti “KAÇORRI” ndërtoi familjen e vet, të mbështetur fort mbi një dashuri të sinqertë të lindur e rritur natyrshëm, pasi ata i kishte bashkuar dashuria, që siç predikojnë hierarkë të lartë të besimit kristian, edhe vetë besimi është dashuri, edhe pse dashuri për Zotin, që është një e vetëm një për të gjithë besimtaret e vërtetë, qofshin këta katolik apo musliman e tjer..

Natyrisht për ato vite të shekullit XIX-të  nuk kishte qenë e lehtë as për këtë çift, i cili për fatin e tyre të keq do të vdisnin të rinj duke lënë jetim  jo vetëm Nikollën e vogël, por edhe dy djemtë e tjerë më të mëdhenj (se Nikolla) , Ndrecën e Deden. Se si u rritën këta jetimë në ato vite të zymta të hyqameit turk ketë e din vetëm Zoti që i kishte falë…

Por natyra  ishte krejt tjetër dhe siç shkruan studiuesi Daniel  Gazulli: Nikollë Kaçorri e rriti shtatin në mes pishnajave dhe kaltërisë të liqejve e të qiellit. Atje ai dëgjoi baladat e para që evokonin liri. I kishte ngelë veçanërisht në mend një këngë që thoshte: ”Të  gjithë gjaqet ju ti falni  /  Luften  turkut mos ia  ndalni..” (marrë nga  portali “zemrashqiptare.net”2010)

Edukimi fetar

Vlen të kujtohet se fati i mëtejshem i (fëmisë)  Nikoll Vokërr Kaçorri do të  merrte “rrugë”  në vitin 1872 me vizitën baritore të arqipeshkevit të Durrësit padër Rafaelo d’Ambrosio, i cili kishte nën juridiksion edhe  Lurën, ku bënte “ligjin” Shehu i kësaj krahine, që njihej si një turkoshak i devotshem dhe e kishte marrë nën “kujdestari” jetimin Nikoll Kaçorri, të cilin  e kishte “deklaruar” musliman dhe thuhet se i kishte “ndryshuar” emrin në “Nimet”.

Gjithsesi me ardhjen e arqipeshkevit D’Ambrosio në Lurë fisi “Kaçorri”  u gëzua pa masë dhe bëri çmos  ta takojë djalin e tyre jetim me arqipeshkëvin e Durrësit, i cili  pasi e takoi e kuptoi se kishte të bënte me një fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme për moshën, ndaj u propozoi të afërmve të Nikollës ta marrin me vehte për ta shkolluar në Delbinish. Ky propozim gëzoi jo vetëm të afërmit e Nikollës, por edhe vetë këtë fëmijë, ndaj propozimi u bë realitet.

Nikoll Kaçorri pas seminarit të Delbinishtit, kalon në  seminarin papnor të jezuitëve  të Shkodrës, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të mira. Më 1882 përfundon  kolegjin urban per retorikë e gramatikë. Nga viti 1882 deri në vitin 1888 studion në Romë. Nga viti 1888 deri në vitin 1893 studion për teologji, filozofi dhe shkenca politike në Universitetin e “Zeking” të Zyrihut në Zvicër dhe në Austri.

Dom Nikolla fetar dhe atdhetar

Pas përfundimit të studimeve në dhjetor të vitit 1893 hyn në rrugën e bukur, por të vështirë të meshtarisë duke filluar në Delbinisht si famulltar, pra aty ku e kishte lënë vite më parë si shekullar. Në vitin 1894 emërohet famulltar në kishën e Shën Luçisë në Durrës. Puna e tij si famulltar në  Durrës u vlerësua  aq shumë sa në vitin 1906  emërohet Protonotër Apostolik, ndërsa më 1908 bëhet sekretar i arqipeshkevisë e më pas Ndihmësipeshkev e Ipeshkëv i Durrësit.

Këto detyra  të shenjta fetare Dom Nikolla i kreu me besnikëri ndaj  mësimeve të Jezu Krishtit dhe me devotshmëri atdhetare për grigjen katolike që atëherë njihej si “fara” e pa kuame e Shqipërisë Europerëndimore. Por atdhetarizmi i Dom  Nikollë Kaçorrit i kalonte këto “caqe”, pasi ndër vite (së bashku me atdhetarë të tjerë klerikë apo shekullarë) kishte qenë palca e qendresës me pushkë e pendë, për liri e pavarësi të trojeve shqiptare të Krujës, Kurbinit, Milotit, Lezhës, Bregut Matës, Mirditës, Lurës, Durrësit, Malësisë së Madhe (Etnike), Dukagjinit e deri në Kosovë e më gjerë.

Nga ky aktivitet po “rrugëtojmë” vetëm në disa “segmente të autostradës” të atdhetarisë të Dom Nikollë Kaçorrit, gjurmët e të cilit  nuk i kanë fshirë njëqind vite, dhe nuk do t’i fshijnë as njëmijë vite të tjera, qofshin këto edhe vite të një harrese të qëllimshme. Dom Nikollë Kaçorri, me shokët e tij të pandarë të binomit Fe dhe Atdhe: At Gjergj Fishta, At Pal Dodaj, At Karl Prenushi, At Lorenc Mitroviq, At Mati Prenushi, At Sebastian Hila, At Luigj Bushati, At Bonaventura Gjeçaj, At Luigj Palaj, At Shtjefën Gjeçovi e tjer janë disa nga frymëzuesit e mbështetësit  e korifejve të atdhetarisë Dedë Gjon Luli, Mehmet Shpendi, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Gjin Pjetri, Abdi Toptanit, Marka Gjonit, Llesh Marka Kola, Ndrecë Prenga, Gjeto Coku, etj.

Qendresa e stuhishme antiturke e zonave (disa nga të cilat i sipërcituam) për të ruajtur apo rifituar të drejtat e tyre jetësore e zakonore (veçanërisht) në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, janë kurora e lavdisë dhe heroizmit të trojeve shqiptare të cilat janë të lidhura  pazgjedhësisht në përjetësi edhe me emrin dhe veprën e Dom Nikollë Kaçorrit.

Për ta “ilustruar” ketë epope lavdie po kujtojmë vitet heroike 1901-1907, kur kriste pushka e shëndriste mendja, rrezet e së cilës u dalluan qartë në kongresin e Manastirit 1908, ku u themelua  alfabeti që kemi sot, dhe njëkohësisht u ndërtua ajo “urë” gjigande komunikimi me Europën e Botën Perëndimore, dhe kontributi i Dom Nikollës së bashku me Atë Gjergj Fishtën etj.  i “ngjason” një kolone betoni pa të cilën ura do të kishte qenë gjithnjë në rrezik “shembje”. Dom Nikolla ka një kontribut të rëndësishëm jo vetëm kur “luftohej” me pendë, por edhe kur luftohej me pushkë për lirinë e të drejtat e shqiptarëve.  

Gjatë viteve 1909-1910 Dom Nikollë  Kaçorri edhe pse i survejuar në ekstrem nga hyqameti turk, ai nuk do të tërhiqej nga aktiviteti i tij atdhetar antiosman. Kajmekani i Krujës  në verën e vitit 1910 do të urdhëronte arrestimin e disa atdhetarëve shqiptarë dhe pas këtyre edhe Dom Nikollën, me pretekstin se zaptinjet turq kishin kapur në Shijak hyzmeqarin e tij me tre pushkë e fishekë, si dhe letra korespondence… duke e dënuar me katër vite burg, por me ndërhyrjen e autoriteteve  kishtare të Durrësit e më gjerë pas rreth një viti e lirojnë.

E lirojnë kur Malësia e Madhe kishte rindezur në votrën e saj zjarrin e lirisë e flamurit, kryengritjen antiosmane të vitit 1911. Kryengritje e cila do të shpaloste në dritën e diellit flamurin  kombëtar të Gjergj Kastriotit  më 6 prill 1911 dhe do të  miratonte programin autonomist me trajta mvehtesie, memorandumin e Greçes 10-23 qershor (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, fq.222-226, bot. i Akademisë shkencave të…Shqipërisë, Instituti i Historisë…), në të cilin kishin kontributin e tyre korifenjët e pavarësise së Shqipërisë Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, Dom Nikoll Kaçorri etj.

Viti 1912 do t’i  gjente shqiptarët e Shqipërinë në një udhëkryq, që nuk i dihej dalja, pasi perandoria e së keqes kishte filluar të shkërmoqej në të katër anët e saj, e shqiptarët e shkretë nëse nuk i delnin zot vehtes rrezikoheshin të mbeteshin nën rrënojat e ngrehinës osmane. Dom Nikolla e kishte kuptuar me kohë këtë ndaj  kishte shtuar aktivitetin e forcuar bashkëpunimin me Luigj Gurakuqin, Ismail Qemalin e tjerë korifej të atdhetarisë, por njëkohësisht ishte angazhuar për sensibilizimin e Europës së  kohës  me në krye  perandorinë  Austrohungareze, e cila shpesh ndër mote kishte qenë “Engjëlli” mbrojtës i Gegënisë e në veçanti i Grigjës katolike në Shqipëri.

Pikërisht duke patur besim te kjo perandori europiane me inisiativën e Dom Nikollës më 12 nëntor (1912 nga Durrësi) ju dërgua një memorandum  perandorit të Austro-Hungarisë Franc  Jozefit, për të  perkrahur autonominë ose pavarësinë e Shqipërisë, ku ndër të tjera “shkruhej”: “…I lutena madhnisë sate që Shqipnija prej katër vilajetesh… të bahet një mbretni në vehte me tre milion shqiptarë sikur të tjera shtete të Ballkanit…Shqiptarët janë kombi më i vjetër… me gjuhë e me zakone  fare të veçanta… gjaku i tyre nuk mundet me u pajtue  kurresesi me çdo gjak të kombeve që janë rreth….

Sado që për një kohë të gjatë shekujsh u rrahën prej tallazeve politike shqiptarët qëndruan në kombësi të vet e në zakone të veta, si një shkëmb i fort në mes të detit. Ketë e tregojnë edhe thelloritë e mëdhaja që shqiptaret hoqën në roje  të qytetrimit e përparimit të vet … Një mbretni shqiptare do të mbante jo vetem peshën  e ekuilibrit të Ballkanit, por edhe të gjithë Europës, e sidomos  me mujt me u ba sipas dëshirës tonë, një mbretni e pa-anë (neutrale), sikurse Zvicërra…”  (Akte të Rilindjes Kombetare…po aty ,fq.257-258 ).

Kur delegacioni shqiptarë shkoi në Vjenë  Ismail Qemali u befasua nga Ministria e Jashtme Austriake që njihte shumë mirë gjendjen e Shqipërisë dhe për këtë njohje të realitetit shqiptar meritën kryesore e kishte  Dom Nikollë Kaçorri. Ishte pikërisht Dom Nikolla ai që do të priste në Durres më 22 nëntor 1912 Ismail Qemalin me bashkëpunëtorët e tij kur do të vinin nga Triestja në Shqipëri për të realizuar misionin e Shenjtë të shpalljes së pavarësisë, të mbështetur edhe nga Perandoria  Austro-Hungareze. Durrësi nga patriotët shqiptarë ishte “projektuar”, si qyteti ku do të shpallej pavarësia e Shqipërisë.

Por kjo nuk do të ndodhte pasi do të “puqeshin” interesat e dhespotit grekë të kishes ortodokse Jakovit , dhe filoturqëve shqiptarë me në krye myftiun e Durrësit , të cilët përveç propagandës përçarëse gjetën mbështetje te qeveria e Stambollit, e cila kishte urdhëruar vezirin e Janinës ta pengonte shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Durrës me çdo kusht. Për këtë turqit do të dërgonin forca ushtarake, së bashku me urdhrin për zhdukjen fizike të patriotëve shqiptarë që kishin marrë mbi vehte këtë mision…