Seanca e sotme në GJKKO për procesin e dosjes “Plumbi i artë” u zhvillua debat i fortë sa i takon marrjes së 6 akteve hetimore, që kanë të bëjnë me dëshmi të Erjon Alibejt para prokurorëve. Për këtë dosje janë bashkëpuntorë të drejtësisë janë Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase. Gjatë fjalës së saj në seancë prokurorja Doloreza Musabelliu u shpreh se nuk mund të vihet në diskutim statursi i bashkëpunëtorit.
“Këto janë provat që kemi sjellë në gjykatë. Sa i takon marrëveshjes ne e kemi në dosje. Nuk mund të vihet në diskutim statusi i bashkëpunëtorit. Më 29 Qershor 2023 është lidhur marrëveshja. Vetë organi që ia heq statusin është vetëm organi i akuzës,” u shpreh ajo.
Nga ana tjetër avokati Aldo Shkëmbi e kundërshtoi duke i thënë se kërkesa e tyre kishte bazë ligjore. Prokurori Behar Dibra vuri në dukje se kërkesat e palës mbrojtëse ishin të përsëritura dhe duhet të përqëndroheshin te seanca.
“Këto janë kërkesa të përsëritura. Kur morëm në pyetje Erjon Alibej nuk u parashtrua kërkesa. Pyetjet duhet të bëhen mbi ato se çfarë ka thënë në senacë”, u shpreh përfaqësuesi i SPAK.
Pas diskutimeve Gjykata e Posaçme ka urdhëruar Prokurorinë që t’i vendosë në dispozicion deklarimet e Erjon Alibej gjatë vitit 2022. Avokati Sokol Hazizaj i kërkoi gjykatës që në momentin kur të pyetet Alibej, të largohet Nuredini nga seanca. Kjo kërkesë gjeti kundërshti nga Prokuroria dhe nga vetë Dumani. Gjykata vendosi që gjatë dëshmise se Erjon Alibej, Dumani mund të qëndrojë.