Drejtonte në gjendje të dehur, automjetin e shpallur “Alert”, tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e procedurave ligjore dhe i kundështoi ata gjatë shoqërimit në komisariat, vihet në pranga 32-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, gjatë kontrolleve parandaluese për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në kryqëzimin e rrugës “Mustafa Matohiti” me Rrugën e Elbasanit, mbrëmjen e djeshme, kanë ndaluar automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin P. S., 32 vjeç.

Gjatë verifikimit të dokumenteve, ka rezultuar se mjeti që drejtonte shtetasi P. S. ishte shpallur në kërkim nga DVP Fier, pasi nuk i ka ndaluar shërbimeve të Policisë, në pikat e kontollit.

Pas kryerjes së testit të alkoolit, shtetasi P. S. ka rezultuar se drejtonte automjetin, në gjendje të dehur, dhe me qëllim shmangien e procedurave ligjore dhe shoqërimin në komisariat, ka kundështuar punonjësit e Policisë dhe ka tentuar t’i korruptojë, duke iu ofruar një shumë parash.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. S., për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.