Nga femra zyrtare, në atë brenda familjes që tradhton burrin e deri tek ajo seksi që bën famë me hiret, janë të gjitha gjendjet në të cilat Delinda Zhupa kalon brenda një nate spektakël “Portokalli”.
Aktorja që ngjiti me rolin e drejtoreshës së Tatimeve, tregon për “Panoramën” se si e përjeton këtë transformim karakteresh femërore, dhe rolin e ri që tashmë është kthyer në stereotip.
Nga Drejtoresha e Tatimeve të shohim si Kim në “Portokalli”. Cilën kategori femrash ironizon me këtë rol?
Kimi është personazh i ri për këtë fillimsezoni, një personazh trendy që u prit mirë. Kimetja ose Kim, siç e pëlqejnë vetë personazhin ta thërrasin, është stereotipi i femrave silikon, e kundërta e femrave natyrale.
Një personazh që godet fenomenin më të fundit të shoqërisë mbarë- globale, një virus do ta quaja i gjinisë femërore. Kjo është tendenca për të qenë njësoj, për t’u bërë të famshme me skandale, me lajme rozë e me incidente banale.
Spektaklin e fundit bëri përshtypje kërcimi te Salsano Rrapi, i cili të mbajti peshë. Ishte e sikletshme për ty?
S’besoj se ka bërë ndonjë përshtypje të madhe, sepse përditë secili nga ne sheh në media e në rrjete sociale lajme dhe publikime jo që të bëjnë përshtypje, por që janë bërë bajate dhe që do invaksinojë një model jo të shëndetshëm për të ardhmen e shoqërisë.
Imitimi i drejtoreshës së Tatimeve ngjiti shumë. Po mund të na përmendësh emra të tjerë zonjash me pozitë, që mund të sjellësh në “Portokalli”?
Nëse mund të përmend emra të tjerë të femrave me pozitë që mund të imitoj s’e di. Si fillim duhet ta përcaktoj, të verifikoj a kam ngjashmëri psikofizike me secilën, pastaj ta studioj, të punoj për personazhin dha ta realizoj skenikisht.
Në skenë shfaqesh dominuese. Po në jetën jashtë spektaklit je tipi me më shumë pika të forta apo të dobëta?
Si çdo njeri dhe unë kam pikat e dobëta dhe të forta të mia, por e rëndësishme është që kam më shumë të forta, sesa të dobëta.
Bukuria është një plus për të depërtuar në art?
Jam e mendimit se publiku më pëlqen për aftësitë aktoriale që kam, sesa prej bukurisë.
Intervistë marrë nga ‘Panorama.al’