Drejtues të Autoritetit Portual Durrës dhe ata të Sistemit portual të detit Adriatik Lindor kanë zhvilluar një takim mbi bashkërendimin dhe përmirësimin e sistemit të kontrollit të mallrave dhe udhëtarëve në portet respektive.

Në takimin që u zhvillua në Drejtorinë Ekzekutive të APD-së, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv Aleksandër Lipivani, vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit mes palëve me qëllim rritjen e sigurisë.

Më pas drejtuesit e departamenteve të Shërbimeve Operacionale dhe Promocionit në APD, ofruan një informacion të përgjithshëm mbi portin e Durrësit dhe Terminalet e tij të mallrave dhe udhëtarëve.

Sekretari i përgjithshëm i Autoritetit të Sistemit portual të detit Adriatik Lindor, Matteo Paroli, ofroi një pasqyrë të funksionimit të Sistemit të kontrollit të mallrave dhe udhëtarëve në portin e Ankonës. Ai vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy porteve. Në këtë takim folën gjithashtu për përvojat e deritanishme edhe drejtori i Doganës së Durrësit, Artan Sulejmani dhe drejtoresha e Policisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Lindita Nushi. Pas takimit, në të cilin mori pjesë edhe nënkolonel Francesco Salvo, nga Komanda e Guardia di Finanza Provinciale-Ankona, drejtuesit italianë të portit të Ankonës bënë një vizitë në Drejtorinë e Doganës dhe sistemin e Skanerit, si dhe në Terminalin e Trageteve.