Dritan (Gramos) Rexhepi, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ka folur për herë të parë gjatë procesit gjyqësor në GJKKO. Ai ka mohuar çdo lidhje me Gentian Funiqin, duke deklaruar se nuk e ka parë kurrë në jetën e tij dhe se do ta vërtetojë këtë me prova.
Rexhepi ka sqaruar gjithashtu se në kohën e ngjarjes ndodhej në burgun e Pratos, në siguri të lartë, për shkak të një procesi në Apelin e Firences.
“Në burgun e Pratos kam qenë në sigurinë e lartë pasi kisha Apelin në Firence dhe me mbajtjen 10 ditë. Nuk e njoh, se kam parë ndonjëherë në jetën time Gentian Funiqin. Do ja faktoj këtë prokurorëve me prova në vijim”, ka deklaruar Rexhepi.
Në seancën e të enjtes, avokatët e të pandehurve kanë kundërshtuar provat shkresore të paraqitura nga SPAK.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz nga katër persona të cilët e futën në një makinë luksoze dhe më pas, sipas pamjeve filmike të nxjerra, ai u dërgua në një resort luksoz në Shijak ku u torturua. Hetimet kanë zbuluar se rrëmbimi i Prengës ka pasur lidhje me veprimet e vëllait të tij, Astrit Prengës, i cili dyshohet të ketë grabitur një sasi prej 260 kg kokainë në Britaninë e Madhe.
Përmes hetimeve është arritur në përfundimin se Gentian Fuqini, një person i lidhur me grupin kriminal nga Shkodra, ka qenë një nga porositësit e rrëmbimit. Ai kontaktoi vëllezërit e Jan Prengës dhe kërkoi që të kthehej sasia e kokainës së grabitur në Britaninë e Madhe në këmbim të jetës së Jan Prengës.
Nga ana tjetër, edhe Dritan Rexhep dyshohet të jetë i përfshirë në këtë ngjarje. Sipas hetimeve, Rexhepi dyshohet se ishte organizatori i nisjes së kokainës për në Britaninë e Madhe, sasi që më pas u zhduk nga porti i Portsmoouth.