Një sasi e madhe droge është sekuestruar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Kavajë.

Lënda narkotike ende nuk është peshuar e gjitha, por sipas burimeve policore, “DurrësLajm” mëson se bëhet fjalë për një ngarkesë rreth 4 tonë kanabis sativa.

Gjatë vijimit të operacionit që ka nisur që në orën 01:00 të natës, policia ka gjetur gjatë kontrolleve që po kryen në terren, edhe një skaf 15 metra të gjatë, i cili dyshohet se do të bënte transportin e drogës drejt Italisë.

Skafi u gjet nga uniformat blu në afërsi të përroit të Forsilukut në Karpen. Më herët, policia e Kavajës sekuestroi edhe një mjet tip fuoristradë dhe një furgon, brenda të të cilave u gjet sasia e madhe e lëndës narkotike. Drejtuesit e mjeteve me të pikasur policinë ishin larguar duke i braktisur mjetet me drogë në autostradë.

Ndërkohë policia ka ndaluar 4 persona të tjerë, të cilët dyshohen se ishin pritësit e mallit. Dyshimet e para janë që sasia e drogës ka ardhur nga një rreth tjetër, me qëllim që të shkonte drejt “Plazhit të Gjeneralit” dhe më pas të transportohej me mjete lundruese drejt Italisë. Operacioni është në zhvillim e sipër për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.