Një dron rus goditi një shkollë në Kiev të hënën në mëngjes, duke shkaktuar zjarr, por të gjithë nxënësit ndodheshin në strehimore në atë moment dhe nuk u raportua për të lënduar, thanë autoritetet në kryeqytetin ukrainas.

Në shkollë, ekipet e shpëtimit po kërkonin nëpër rrënojat pranë ndërtesës së djegur, dritaret e së cilës ishin thyer. Pamjet e kamerave të sigurisë, të verifikuara nga Reuters, treguan një zjarr të madh që shpërtheu menjëherë pasi droni goditi katin e tretë të ndërtesës.

“Ata (rusët) nuk tregojnë mëshirë për askënd”, tha drejtoresha e shkollës, Valentina Horna, duke shtuar se më shumë se 100 nxënës ndodheshin në shkollë në kohën e sulmit.
“Fëmijët janë e ardhmja jonë, e ardhmja e kombit tonë. Për të shkatërruar një komb, sigurisht, ata duhet të shkatërrojnë fëmijët.”

Një urë e madhe mbi lumin Dnieper u godit gjithashtu si pjesë e sulmeve në rritje të Rusisë ndaj qytetit, tha kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko. Ura Jugore nuk u dëmtua rëndë, por trafiku i metrosë mbi të u pezullua përkohësisht.

Sulmet ishin pjesë e një vale të vazhdueshme sulmesh ajrore në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase, në të cilat Rusia ka përdorur dronë me motor reaktiv, të cilët Ukraina ka pasur vështirësi t’i rrëzojë për shkak të mungesës së sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Të mërkurën, forcat ruse nisën atë që zyrtarët ukrainas e përshkruan si fillimin e një fushate sulmesh ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës përpara dimrit.

Sulmi ndaj urës, në veçanti, përbën një përshkallëzim, pasi struktura të tilla deri vonë konsideroheshin një “vijë e kuqe”, shkroi në Facebook analisti politik Vadim Denisenko.

Instituti i Kërkimeve Bërthamore në Kiev tha në një deklaratë se u sulmua nga një dron të mërkurën vonë në mbrëmje, por nivelet e rrezatimit mbetën normale.

Të hënën, një dron rus u rrëzua në Akademinë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit, duke vrarë një person dhe duke plagosur disa të tjerë.