Policia e Shtetit, së bashku me Policinë Rrugore, kanë nisur nga Durrësi fushatën sensibilizuese për ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve për parandalimin e aksidenteve automobilistike.

Nisur nga fakti se kohët e fundit rrugët e Shqipërisë janë përgjakur shpesh nga numri i lartë i aksidenteve rrugore të regjistruara në akse të ndryshme, Policia Rrugore ka hartuar dhe ka nisur shpërndarjen e 50 mijë fletëpalosjeve, ku u bëhet thirrje qytetarëve të japin ndihmesën e tyre për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Mëngjesin e sotëm, Drejtori i Policisë Rrugore, Ardi Veliu, ishte në Durrës për të ndjekur nga afër nisjen e kësaj fushate sensibilizuese si dhe për të dhënë një mesazh për të gjithë drejtuesit e mjeteve.

Sipas Veliut, ulja e numrit të aksidenteve dhe rritja e parametrave të sigurisë rrugore nuk bëhen me fushata sensibilizuese dhe kjo e sotmja nuk është një fushatë që do të vazhdojë disa ditë, por ai premtoi një punë të vazhdueshme për të garantuar rrugë më të sigurta, numër më të vogël aksidentesh dhe respektim rigoroz të Kodit Rrugor nga ana e shoferëve.

“Paralelisht fushatave sensibilizuese, ne po aplikojmë masa ndëshkuese për drejtuesit e automjeteve që nuk zbatojnë dispozitat e Kodit Rrugor”, tha Veliu.