10 shtator 2015 – Si rrallë herë porti kryesor i vendit është plot me anije mallrash. Të enjten, më 10 shtator 2015, në kalatat e portit të Durrësit po përpunoheshin 7 anije tregtare me 14.120 tonë mallra dhe 136 kontejnerë. Anijet janë bregëzuar në molet 1, 2, 4, 5, 6 dhe 11. Dy nga anijet po shkarkojnë 3 800 tonë xhama dhe dy të tjera po ngarkojnë përkatësisht 5 100 tonë çimento dhe 1 126 tonë makineri.
Tre anijet e tjera kanë sjellë përkatësisht grurë (3 170 tonë), ushqimore (924 tonë) si dhe 136 kontejnerë. Pas përfundimit të përpunimit të disa anijeve, pritet të hyjnë në port anijet “Hala B” dhe “Frosina”, që do të shkarkojnë 8 084 tonë mbetje metalurgjike dhe 3 000 tonë çimento. Në radë ndodhej edhe anija “Tera” që do të ngarkohet me 2 800 tonë krom.
/portali DurresLajm/





