Policia e Durrësit ka vënë në pranga 4 persona të akuzuar për vjedhje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit D. K., 34 vjeç, banues në Durrës dhe Sh. R., 23 vjeç, banues në Cërrik, pasi i kanë vjedhur celularin, një shtetaseje.

Gjithashtu, këta specialistë kapën dhe vunë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim S. M., 50 vjeç, banues në Shkodër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin A. Y., 42 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka vjedhur një shumë parash, në një dyqan me bimë dekorative.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.