Banorët e pallatit nr.2036, në rrugën “Mujo Ulqinaku”, Durrës kanë zhvilluar paraditen e sotme një protestë, pasi megjithëse jetojnë prej gati 20 vitesh në godinën 9 katëshe në qendër të qytetit, ende nuk janë pajisur me tapi.

Ata kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve, sepse deri më tani asnjë zgjidhje nuk është ofruar për 100 familjet që kanë apartamente dhe dyqane në këtë ndërtesë, që ndodhet pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.

Prej vitesh, ata sorrollaten në institucione të ndryshme, si Hipoteka, Kadastra, Aluizni etj, por askush nuk u ka dhënë zgjidhje.

Pjesa më e madhe e tyre i kanë likujduar të gjitha detyrimet ndaj firmës së ndërtimit, por mungesa e dokumentit hipotekor, i shqetëson prej vitesh.

Ata janë të penalizuar edhe për të marrë kredi hipotekore në bankë, pasi nuk mund të përdorin apartamentin apo dyqanin si kolateral në bankë, sepse kjo e fundit i kërkon dokumentin e pronësisë.

Administratori i pallatit, Skënder Shami, thotë se kjo nuk është protesta e parë që zhvillojnë në këto dy vitet e fundit, por deri më tani ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.

Ndërsa një tjetër banor fajëson politikën për zvarritjet e këtij procesi, pasi fatin e këtyre 100 familjeve e vuajnë edhe mijëra familje të tjera në Durrës, por edhe në qytete të tjera të vendit.

Llogaritet se janë rreth 30 mijë familje në Republikën e Shqipërisë, të cilat jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës ku jetojnë. Në të gjithë vendin numërohen rreth 1 320 pallate që vazhdojnë të jenë të pahipotekuar, 700 prej të cilave janë në territorin në administrim të bashkisë së Tiranës.

M.B.