·Dy arrestime në Krishtlindje dhe tri kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme

DURRËS, 25 dhjetor 2014 –  Pragu dhe Krishtlindjet në Durrës regjistruan edhe 5 raste dhune në familje. Përveç keqtrajtimit të grave nga burrat, ka dhe një rast kur gruaja shtronte në dajak të shoqin dhe babai rrihte të bijën.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njofton se të enjten, më 25 dhjetor 2014, u arrestuan në flagrancë dy persona: 54-vjeçari Th. M., banues në Durrës, sepse më datë 24 dhjetor 2014, në banesë ka kanosur bashkëshorten T. M., 49 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka urdhër mbrojtjeje nga gjykata e rrethit; dhe 49-vjeçari A. K., banues në lagjen nr. 14/1 Kënetë, sepse më datë 24 dhjetor 2014, ora 18.30, në banesë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj së bijës 18-vjeçe G. K.

Kurse të mërkurën më 24 dhjetor 2014, u plotësuan tri kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për një burrë 29-vjeçar me inicialet O. P, vjeç 29, banues në Durrës, sepse bashkëshortja, po 29-vjeçare, E. P., dyshohet se i jepte “dru”; për një grua 42-vjeçare, Sh. Gj., banuese në lagjen nr. 4, sepse e rrihte bashkëshorti F. Gj., një vit më i madh se ajo; i njëjti motiv është edhe për një grua 59-vjeçare, D. A, vjeç 59,  banuese në lagjen nr. 10, që dhunohej nga bashkëshorti A. A, 51 vjeç.

/th. m. agjencia  lajmeve “Dyrrah”/