·       HISTORIA “GALLATË”/Më 14 maj 2013, një muaj dhe një javë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, PD-ja vendos: fiton tenderin ai që kërkoi më shumë para: 49 550 613 lekë dhe jo ai që kërkoi më pak: 42 116 000 lekë me një diferencë prej 7 434 613 (54 mijë euro)

31 korrik 2015 – Të premten, më 31 korrik 2015, Këshilli Teknik (KT) i personit juridik publik “Autoriteti Portual Durrës” (APD) miratoi propozimin për përshpejtimin e procedurës së thellimit të basenit dhe kanalit hyrës të portit, njoftoi zyra e shtypit e APD-së.

Lidhur me thellimin e basenit dhe kanalit hyrës të portit, APD thotë se dy studimet e kryera deri tani nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe kompania gjermane HPC (Hamburg Port Consulting) GmbH, kërkojnë një financim përtej planifikimeve të APD-së. Ndërkaq, nevojat e afërta të portit synojnë një zgjidhje të ndërmjetme, e cila mundëson edhe realizimin e pritshmërive për transportin dhe përpunimin e tubacioneve dhe materialeve të projektit të gazsjellësit TAP në vendin tonë. Këshilli teknik diskutoi edhe detajet e këtij projekti, që, me një financim prej rreth 4 milionë euro, parashikon evadimin e 850 mijë metër kub inerte gjatë thellimit dhe që mundëson hyrjen në port të anijeve deri në 30 mijë tonë. Për realizimin e projektit të thellimit janë parashikuar 6 milionë lekë dhe së shpejti do të publikohen dokumentet e tenderit.

Në të njëjtën mbledhje u miratua përfundimi i fazës së parë të projektit për ndërtimin e kalatës 9/d. Sipas projektit të kompanisë tjetër gjermane “Sellhorn Ingenieurgesellschaft” mbH, në këtë kalatë është parashikuar ndërtimi i një pontili me gjatësi 250 metra dhe gjerësi 30 metra, i cili do të ketë një përdorim shumëqëllimësh, edhe për mallrat e përgjithshme. Kontraktuesi “Sellhorn Ingenieurgesellschaft mbH” do të vijojë me fazën e projektzbatimit.

Retro-Info / Ja si “Sellhorn” nënshkroi kontratën një muaj e një javë para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013

“Dyrrah”-u hetoi dhe pa se më 1 tetor 2012, APD-ja ka zhvilluar tenderin për hartimin e projektidesë dhe projektzbatimit, preventivat për ndërtimin e kalatave 9c dhe 9d me një fond limit prej 52 643 871 lekë. Njoftimi i klasifikimit është bërë më 26 mars 2013, 6 muaj pas tenderit. Sipas njoftimit, në procedurën e prokurimit morën pjesë vetëm dy ofertues: bashkimi i operatorëve “TEC. Consult” & “Ingenieria Civil del Atlantico” me ofertë 42 116 000 lekë; si dhe “Sellhorn Ingenieurgesellschaft” mbH me ofertë 49 550 613 lekë. Ndonëse nuk pati të shkualifikuar, APD-ja vendosi që oferta e “Sellhorn Ingenieurgesellschaft” mbH me adresë: Teilfeld 5, 20459 Hamburg, Gjermani, me një vlerë të përgjithshme prej 49 550 613 lekë, u identifikua si oferta e suksesshme.

Dhe “gallata” ka të bëjë me paralajmërimin e ish-drejtuesve të APD-së që u bëhet atyre që bënë ofertën më të lartë, “Sellhorn Ingenieurgesellschaft” mbH: “në rast se tërhiqeni nga nënshkrimi i kontratës, … kontrata do t’i akordohet ofertuesit vijues në klasifikimin përfundimtar, oferta e të cilit është dorëzuar me një vlerë të përgjithshme prej 42 116 000 lekë”.

Del se fiton ai që kërkoi më shumë para: 49 550 613 lekë dhe jo ai që kërkoi më pak: 42 116 000 lekë me një diferencë prej 7 434 613 (54 mijë euro)! “Kërcënim” fantastik. Gjermanit i hyri “frika” dhe kontrata me “Sellhorn Ingenieurgesellschaft” mbH u lidh më 14 maj 2013, një muaj e një javë para zgjedhjeve parlamentare.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/