Bashkia Durrës ka hapur një ditë më parë tenderin “Studim projektimi për rikonstruksionin e pallatit të sportit “Ramazan Njala”.

Në dispozicion të firmës fituese që do të hartojë projektin është vënë shuma 5.711.000 lekë, ndërkohë që të gjitha kompanitë e interesuara kanë afat deri më 13 qershor të dorëzojnë dokumentacionin përkatës.

Çfarë parashikon rikonstruksioni

Pallati i Sportit “Ramazan Njala” është ndërtuar në vitin 1969 dhe mban emrin e Ramazan Njalës, një sportist mjaft i njohur për  aftësitë dhe cilësitë e mira që kishte duke u quajtur dhe lojtari më i mirë i kohës, i vlerësuar me tituj e stimuj të ndryshëm.

Bashkia Durrës parashikon rikonstruksion të plotë të tij sipas të gjitha standarteve të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve si dhe standardeve ndërkombëtare.

Nëpërmjet projekti të ri të rikonstruksionit synohet të ndërhyhet rrënjësisht në të gjithë elementet përbërës të godinës, me qëllim funksionimin komod të aktiviteteve sportive që zhvillohen në këtë objekt. 

Për të siguruar cilësinë e ndërhyrjes, do të zhvillohet procesi i përzgjedhjes së studios projektuese nëpërmjet një gare kombëtare ku do të vlerësohen propozimet teknike dhe ofertat ekonomike.

Zbatimi i projektit pritet të përmirësojë dhe të shtojë në mënyrë cilësore hapësirat e këtij objekti dukë sjellë një risi në aktivitetin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.

1. Rikonstruksioni në godinën e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, Durrës janë të nevojshme me qëllim që ky Pallat:Të rigjenerojë godinën si nga ana fizike ashtu edhe nga ana arkitektonike;

2. Të ofrojë kushte më të mira për stërvitjen e sportistëve pjesë e klubit të shumësporteve KS Teuta Durrës, punonjësve apo profesionistë të tjerë që ushtrojnë aktivitetet e tyre në këtë godinë;

3. Të nxisë zhvillimin e aktiviteteve sportive për qytetin e Durrësit;

4. Të ofrojë një shërbim sa më cilësor për të gjithë qytetarët që frekuentojnë Pallatin e Sportit.

Rikonstruksionit të godinës nuk do t’i shpëtojë as fasada, pasi siç specifikohet në dokumentet e tenderit, “skuadrës fituese i kërkohet të analizojë e çertifikojë të gjithë elementet arkitektonikë dhe në fasadë të kësaj godine si: materialet, dyert, dritaret etj, dhe të propozojë një projekt të ri i cili jo vetëm do të shtojë vlerat e saj si objekt i këtij lloji, por njëkohësisht të ofrojë mundësi më të mira për sportistët dhe tifozët e dashamirësit e sportit”.

Por njëkohësisht, në dokuementet e tenderit theksohet se “projekti i restaurimit të jashtëm/ fasadës së ndërtesës duhet të realizojë ruajtjen dhe evidentimin e vlerave arkitektonike, urbanistike e mjedisore të qytetit të Durrësit”.