23 shtator 2015 –  Në kulmin e debatit midis koncesionarit gjerman EMS APO të terminalit lindor lidhur me shërbimin e ngarkim-shkarkimit midis tri kompanive shqiptare që u krijuan para koncesionit dhe këtij të fundit, shfaqen zyrtarë të lartë të Bonit. Tri firmat durrsake i kanë kërkuar ditët e fundit Ministrit shqiptar të Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto të mos licensojë EMS APO-në për veprimtari stivadore.

Zyra e shtypit e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të personit juridik publik Autoriteti Portual Durrës (APD) njofton se më të mërkurën, më 23 shtator 2015,  drejtori i përgjithshëm ekzekutiv Gazmend Shalsi priti një delegacion gjerman, të kryesuar nga Jorg Asmussen, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve Sociale. Në delegacion bënte pjesë edhe zëvendës ambasadorja gjermane Anke Holstein. Shalsi i njohu anëtarët e delegacionit me situatën e infrastrukturës dhe shërbimeve në portin më të madh të vendit, si dhe me marrëdhëniet me terminalet e dhëna me koncesion. Më tej kreu i portit u ndal në projektet që presin të zbatohen, duke shfaqur dëshirën e bashkëpunimit me investitorët gjermanë.

Sipas të njëjtit burim zyrtar, Sekretari gjerman i Shtetit Asmussen shprehu interesimin e tij për ecurinë e koncesioneve gjermane [në Terminalin e Udhëtarëve (AFTO) dhe Terminalin Lindor  të mallrave rinfuso (EMS APO)], si dhe për projektet e ardhshme që do të realizohen në portin e Durrësit. Më pas delegacioni, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm  ekzekutiv i APD-së Gazmend Shalsi vizitoi disa nga terminalet e portit.

Sikurse ka shkruar disa herë “DurresLajm” dy koncesionet kanë qenë problematike dhe kanë sjellë mosmarrëveshje të mëdha, gjë për të cilën është dashur ndërhyrja e politikës në Tiranë dhe Bon.

/th. m. portali DurresLajm/