·        Mungesë parash: shkurtohen 9 nëpunës në administratë dhe 7 punonjës në Ndërmarrjen e Rrugëve Rurale

·        U trashëgua një borxh prej rreth 20 milionë lekë, kurse të ardhurat në vitin 2013 u realizuan vetëm 26 për qind

DURRËS, 17 mars 2014 –  Këshilli i Qarkut të Durrësit ndodhet në “kufirin minimal ekzistencial” për mungesë parash, duke diktuar shkurtimin e 9 nëpunësve në aparat dhe të 7 punonjësve në Ndërmarrjen e Rrugëve Rurale.

Kjo situatë është shkaktuar nga një borxh që la PD-ja prej rreth 20 milionë lekë dhe se të ardhurat në vitin 2013 u realizuan vetëm në masën 26 për qind dhe i gjithë deficiti u krijua si rezultat i mosrealizimit të kontributeve nga ana e komunave dhe bashkive, kontribute që u realizuan në masën 6 për qind, kjo u bë e ditur nga kryetari i Këshillit të Qarkut, Alfred Mullaraj në mbledhjen e Këshillit të Qarkut më 17 mars 2014.

RENDI I DITËS

Përfundoi për rreth 40 minuta mbledhja e Këshillit të Qarkut Durrës (foto arkiv) më 17 mars 2014, me një kuorum minimal. Në rendin e ditës ishin parashikuar miratimi i buxhetit për vitin 2014 të Këshillit të Qarkut; miratimi i strukturës, rregullores, nivelit të pagave të administratës së Këshillit të Qarkut; miratimi i strukturës, nivelit të pagave, lirimi dhe emërimi i drejtorit së Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale; miratimi i linjave të transportit rrethqytetës; miratimi për dhënien e titulli “Dëshmor i Atdheut”; miratimi i përbërjes së komisionit të Mbrojtjes së Tokës së Qarkut dhe informacion për nxjerrjen nga përdorimi të disa aktiveve në aparatin e Këshillit të Qarkut. Të gjitha projektvendimet u miratuan.

BUXHETI 2013

Kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj (në foto nga mbledhja e 17 marsit 2014) tha në fjalën e tij se në zbatim të ligjit dhe mbështetur në një analizë të situatës ekonomike e veçanërisht të gjendjes financiare ku ndodhemi aktualisht (me një borxh prej rreth 20 milionë lekë), grupi i ngritur që punoi prej më shumë se 3 muaj për vlerësimin dhe analizimin e gjendjes, doli me disa konkluzione.

Buxheti i vitit 2013 u realizua në masën 73 për qind ose nga 118.710.000 lekë u realizuan 86.571.000 lekë. Të ardhurat u realizuan vetëm në masën 26 për qind dhe i gjithë deficiti u krijua si rezultat i mosrealizimit të kontributeve nga ana e komunave dhe bashkive, kontribute që u realizuan në masën 6 për qind. Ky realizim i të ardhurave u reflektua në njëfarë mase edhe në realizimin e shpenzimeve apo përdorimin e të ardhurave për vitin 2013 dhe konkretisht në shumën prej 90.582.000 lekë (këtu nuk përfshihen detyrimet e papaguara në shumën prej 10.654.000 lekë për mungesë të të ardhurave të vitit 2013, kryesisht në investime dhe materiale për llogari të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale).

Për vitin 2013 dhe në vazhdim nëpërmjet granteve konkurruese u planifikuan të realizoheshin tre objekte; rikonstruksioni i rrugës së Kënetës me vlerë të kontraktuar 33.745.000 lekë arriti të përfundonte, ndërsa dy objektet e tjera janë në proces dhe për të cilat po bëhen përpjekje për të siguruar financimet nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe Ministria e Financave.

BUXHETI 2014

Buxheti i vitit 2014 është mjaft i shtrënguar nga pikëpamja e të ardhurave që priten të realizohen, pavarësisht nga granti prej 67 096 000 lekë i planifikuar nga Qeveria, 10 për qind me i larte se i vitit 2013.

Në total të ardhurat për vitin 2014 kapin një shifër prej 110 576 000 lekë (shih tabelën dhe “tortën”).

Vlen të theksohet se në këto të ardhura një peshë të konsiderueshme zë edhe kontributi i komunave dhe bashkive, prandaj kërkohet mirëkuptimi i krerëve të njësive vendore, që janë dhe anëtarë të Këshillit të Qarkut, për një realizim të plotë dhe në kohë të këtyre detyrimeve sa ligjore aq edhe institucionale.

Mullaraj vuri alarmin se vetëm me një realizim të plotë të te ardhurave të planifikuara mund të realizohen shpenzimet e parashikuara të vitit 2014, shpenzime këto që jane në kufirin minimal ekzistencial të Këshillit të Qarkut. Shpenzimet për vitin 2014 detyrimisht janë të balancuara me nivelin e të ardhurave dhe parashikohen të jenë në shumën prej 110 576 000 lekë.

 “GËRSHËRËT”

Kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj tha se në buxhetin e vitit 2014 janë reflektuar dhe ndryshimet e propozuara që lidhen me ndryshimet e strukturave të administratës së Këshillit të Qarkut dhe Ndërmarrjes se Rrugëve Rurale.  

Mullaraj tha se, nisur nga situata e vështirë financiare, në numrin e punonjësve gjithsej të administratës së Këshillit të Qarkut që është 63 vetë, përfshirë edhe 5 punonjës të drejtorisë së administrimit dhe mbrojtjes së tokës (në thjeshtligjërim: kadastra), propozohet që ky numër të shkojë në 54 punonjës, me një shkurtim prej 9 vetash.

Kreu i Këshillit të Qarkut pranoi se “mund të ishte ulur edhe më shumë numri” por “jemi përpjekur që situatën ta analizojmë edhe nga pikëpamja sociale”.

Mullaraj bëri të ditur se niveli i pagave është ruajtur ai aktual dhe nuk janë reflektuar në të ndryshimet e bëra në dy vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave, që parashikojnë rritje të tyre.

Nga “gërshëra” e shkurtimeve nuk ka shpëtuar as Ndërmarrja e Rrugëve Rurale, që është në varësit të Këshillit të Qarkut, ku u shkurtuan 7 punonjës (nga 48 gjithsej mbetën 41 veta), ndonëse situata në rrugët rurale është e rëndë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/