· Deri më 24 gusht 2015 priten të vijnë 6 anije me 20 mijë tonë mallra të ndryshme dhe një tjetër me 104 copë kontejnerë
20 gusht 2015 – Në portin e Durrësit po shkarkohet një anije me 11 mijë tonë qymyr. Sipas dispeçerit të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit portual Durrës (APD) në kalatën nr. 11 në Terminalin Lindor po përpunohet anija Alessia (me flamur maltez, por në pronësi të kompanisë detare ukrainase Transyug Shipping). Ajo ka mbërritur në port më 18 gusht 2015 (shih foton e Ed Gjatës të asaj dite). Është mjet lundrues i madh me gjatësi 149 metra, gjerësi 22 metra dhe tonazh 12 859 t, ndërtuar në vitin 1984 në Gjermani. Anija, që ka ndërruar për 31 vjet 19 herë emrin, po shkarkon 11 mijë tonë qymyr. Gjithashtu, të enjten, më 20 gusht 2015 po shkarkoheshin anija Loodiep me 5 475 tonë melaminë dhe Frojdi III me 1 385 tonë gëlqere.
Mësohet se priten të vijnë për tri ditë, duke filluar nga e premtja 21 gusht 2015 edhe 7 anije, nga të cilat njëra me 104 copë kontejnerë. Të 6 anijet do të sjellin 5 013 tonë nitrat, 2 696 tonë llamarina, 4 0 35 tonë çimento rinfuso, 3 080 tonë skrap dhe 1 901 tonë grurë rinfuso, gjithsej 20 025 tonë.
/red. th. m. portali “durreslajm.com”/





