- Mediet italiane e konsiderojnë ngjarje licencën për kompaninë gjenoveze “Grandi Navi Veloci”
- Taulant Balla: Me qeverinë e re rajonale të Pulias mund të punojmë për rritjen e përbashkët ekonomike duke përdorur më mirë fondet e BE-së
DURRËS, 27 qershor 2015– Sikurse është bërë ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto ka nënshkruar licencën për kompaninë italiane të trageteve Grandi Navi Veloci (GNV) për aktivizimin e lidhjes së re Bari-Durrësi, që nga 31 korriku 2015, me udhëtime të përditshme në verë (do të niset në orën 23:00 nga Bari dhe 11:00 nga Durrësi) dhe tri herë në javë në vjeshtë. GNV-ja, me seli në Gjenova, njofton se ka hapur prenotimet për linjën Bari-Durazzo. Lidhja e re konsolidon ofertën komerciale të GNV-së, duke rritur praninë e saj ndërkombëtare me një investim të madh në detin Adriatik dhe me Shqipërinë.
Mediet e përtejdetit i kanë kushtuar rëndësi të madhe këtij fakti. Kështu, më 27 qershor 2015, agjencia italiane e lajmeve AGI citon deputetin shqiptar Taulant Balla, koordinator i qeverisë së koalicionit dhe promotor në parlament i një nisme legjislative për rritjen e standardeve të sigurisë dhe cilësisë në transportin detar ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë:
“Përmirësimi i lidhjeve midis Durrësit dhe Barit është një nga objektivat e qeverisë Rama. Shërbimi duhet të bëhet me anije të reja dhe efikase në kushte sigurie dhe me standard cilësie”.
Balla theksoi se nga pikëpamja e organizimit dhe cilësisë së shërbimeve porti i Durrësit është ndër më të mirët në Adriatik. Deputeti shqiptar shtoi: “Kohët e fundit kam takuar presidentin e Autoritetit Portual të Barit Francesco Mariani dhe drejtorin e ri të Autoritetit Portual të Durrësit Gazmend Shalsi për të përmirësuar më tej koordinimin midis dy porteve. Bari mbetet porti më i rëndësishëm për Shqipërinë, si pikë hyrjeje në Evropë sikurse konfirmon rritja e vazhdueshme e trafikut të mallrave dhe udhëtarëve. Jam i bindur se me qeverinë e re rajonale të Pulias të kryesuar nga Michele Emiliano mund të punojmë për rritjen e përbashkët ekonomike duke përdorur më mirë fondet e BE-së”.
/red. e jasht. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/