Durrës, 22 korrik 2014 – Një pakujdesi në drejtimin e automjetit i ka kushtuar lirinë 34 vjeçares Marte Lleshaj, banuese në Durrës, ndërkohë që e aksidentuar rëndë ka mbetur edhe pasagjerja që ndodhej në automjetin tip Dahatsu, me targa AA 203 BM.

Dy gratë, po udhëtonin në mëngjes herët në aksin rrugor Plepa – Shkozet, kur në një moment, makina i ka dalë nga kontrolli 34 vjeçares Lleshaj dhe për pasojë kanë përfunduar jashtë rruge.

Aksidenti automobilistik i ka shkaktuar lëndime të shumta 22 vjeçares M.N., që ndodhej në vendin e pasagjeres.

Burime policore bëjnë të ditur se vajza e re, banuese në Rreth Baz Burrel, është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Situata për 34 vjeçaren Lleshaj komplikohet edhe më tepër për faktin se krahas akuzës “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” ajo rezulton ta ketë drejtuar automjetin pa qenë e pajisur me patentë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/