Zona e Bisht Kamzës në Durrës është vendi ideal për të organizuar një piknik me familjen apo shoqërinë. Kjo kurorë e gjelbërt pishash është mushkëria e pjesës veriore të qytetit, ku mund të organizoni një barbecue të mrekullueshme, në natyrë, mes ajrit të pastër e të freskët.
Nën hijen e pishave të Bisht Kamzës, zgjedhin të konsumojnë drekën pushuesit që bëjnë plazh në sektroin “Rinia”, një pjesë e mirë e të cilëve vijnë nga Tirana. Është i pashmangshëm tundimi për të ndaluar tek pishat para se të mbërrish në plazh apo në kthim.
Por ndërsa Zoti i ka falur kësaj zone një peizazh piktoresk e çlodhës, njerëzit nuk po kujdesen aspak për Bisht Kamzën. Pas përfundimit të piknikut një pjesë e qytetarëve largohen duke i lënë aty mbeturinat, duke filluar që nga ushqimet që u kanë tepruar, letrat e deri tek gotat e pjatat plastike. Nëse ato nuk hiqen nga dikush janë të destinuara të qëndrojnë në natyrë për vite me radhë dhe duke patur parasysh që plastika është një material që nuk shërbëhet, ndryshe nga mbeturinat ushqimore, dëmi që shkaktohet është konsiderueshëm.
Është e drejtë që papastërtitë në qytet duhet të hiqen nga ndërmarrja komunale, por duhet të sensibilizohen edhe qytetarët për rolin që kanë në mbajtjen pastër të mjedisit. Përndryshe shoqëria do të përfundojë duke shkatërruar ambiente me resurse të mëdha natyrere, siç është në këtë rast Bisht Kamza, që për më tepër hyn në kategorinë e zonave të mbrojtura.
R.O.