- Kryeministri njofton për një histori suksesi në të ardhmen, por nuk bëri të ditur procedurat e prokurimit të privatizimit të menaxhimit; a është zgjedhur kompania, emri i së cilës nuk u përmend, apo ka ofertë pa njoftim paraprak; si do të jetë e ardhmja e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të personit juridik publik aktual “Autoriteti Portual Durrës” (APD); a do të ketë ndërhyrje në ligjin organik për Autoritetin Portual etj.
17 korrik 2015 – Për shkak të “nivelit shumë të ulët të administrimit dhe pa asnjë vizion, ku vetëm 60 për qind e mundësive dhe kapacitetit” të portit të Durrësit, Kryeministri Edi Rama deklaroi privatizimin e menaxhimit të tij, duke “sjellë në portin e Durrësit për të administruar këtë aset të madh kombëtar, një nga kompanitë më të mëdha dhe prestigjioze të botës”.
Të premten, më 17 korrik 2015, i ndodhur në Terminalin e Trageteve të portit të Durrësit në përurimin e vënies në shfrytëzim të tragetit “Rhapsody” të kompanisë së famshme italiane GNV në linjën Bari-Durrës-Bari, kryeministri Edi Rama bëri të ditur qëllimin e qeverisë së tij edhe për privatizimin e drejtimit / menaxhimit të portit nr. 2 të vendit:
“Nëse i referohemi Raportit të Progresit të vitit 2013 të Bashkimit Evropian për këtë sektor, përmes fjalëve të shkruara nga Komisioni Evropian lexohet qartësisht se në çfarë prapambetje është Shqipëria dhe në çfarë katandie e trashëguan ne sektorin, pa asnjë progres, me një legjislacion absolutisht të papërputhur me legjislacionin evropian, me kapacitete administrative teknike shumë të ulëta, me një shterim të burimeve njerëzore në administrimin e porteve dhe në administrimin e këtij sektori dhe kështu me radhë. Prandaj, objektivi i qartë, i vendosur nga qeveria dhe i synuar vazhdimisht nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës, ka qenë qysh në fillim adresimi i kësaj problematike komplekse, që ka bërë që Shqipëria, sot të përdorë me një nivel shumë të ulët administrimi dhe pa asnjë vizion, vetëm 60 % të mundësive dhe kapacitetit që ka. Edhe ky 60% është shumë bujar si shifër, në raport me realitetin, sepse në realitet, brenda këtij 60% kemi një shfrytëzim me standarde të ulëta, me nivel shumë të ulët të kuptimit të rëndësisë strategjike të këtij sektori për Shqipërinë.
Viti 2014 shënoi një pikë kthese në drejtimin e duhur për transportin detar në Shqipëri. Statistikat portuale filluan të flasin për një rritje, edhe pse modeste, por gjithsesi rritje, të përpunimit të mallrave dhe të transportit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ne jemi absolutisht të pakënaqur me këtë situatë dhe shpresojmë shumë që pas këtij eventi kaq të rëndësishëm do të jemi në gjendje që jo në shumë kohë dhe brenda harkut të këtij viti të lajmërojmë një tjetër histori suksesi në përpjekjet e qeverisë shqiptare, të Ministrisë të Transportit, për të sjellë në Portin e Durrësit për të administruar këtë aset të madh kombëtar, një nga kompanitë më të mëdha dhe prestigjioze të botës. Gjë që do të shënojë, nëse do t’ia dalim me sukses në këtë përpjekje, një kthesë historike për Portin e Durrësit dhe për gjithë transportin detar në tërësi”.
Megjithatë, kreu i Qeverisë nuk bëri të ditur procedurat e prokurimit të privatizimit të menaxhimit; a është zgjedhur kompania, emri i së cilës nuk u përmend, apo ka ofertë pa njoftim paraprak; si do të jetë e ardhmja e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të personit juridik publik aktual “Autoriteti Portual Durrës” (APD); a do të ketë ndërhyrje në ligjin organik për Autoritetin Portual etj. Ndërkohë që me koncesionet aktuale në port ka probleme ligjore.
/th . m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/