Emmi Rushiti është njëra nga fitueset e çmimit të parë të edicionit të VI-të të Festivalit të Ansambleve Popullore të shkollave 9-vjeçare publike e jo publike në Durrës.

Megjithëse mjaft e re në moshë, Emmi ka bindur jurinë se është një interpretuese mjaft e mirë e këngës popullore.

“E kam nisur që në klasë të VII këngën popullore, por kam eksperimentuar edhe në rryma të ndryshme”,- rrëfen ajo, ndërsa më pas shton “Më ka pëlqyer gjithnjë muzika popullore, por këtë vit kam vendosur të këndoj muzikë popullore lirike”.

Violeta Beshiri, që mori Çmimin Special nga juria, e pranon se për të dhe bashkëmoshatarët e saj nuk është e lehtë të interpretojnë këngë popullore, sepse janë më të dhënë ndaj muzikës moderne. Por me punë dhe përkushtim, çdo gjë arrihet.

“Duke qenë se nuk janë këngë që brezi jonë i dëgjon shumë është pak e vështirë, por duke i përsëritur, duke kaluar kohë, atëherë mësohesh”,- tregon këngëtarja e vogël.

Në edicionin e VI-ë të asambleve popullore morën pjesë më shumë se 300 nxënës të 17-të shkollave 9-vjecare të bashkisë Durrës. Kryetarja e jurisë, Rakipe Karaj, shprehet e surprizuar nga performancat artistike të nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Durrësit. Ajo pranon se mes adoleshentëve ka shumë talente dhe fakti që të rinjtë i përkushtohen muzikës popullore është një ogur i mirë për vazhdimin e traditës dhe trashëgiminë e saj nga brezi në brez.

“Vështirësitë kanë qenë të shumta përsa i përket përgatitjes së fëmijëve, që kalojnë nëpër duart e profesionistëve. Gjithsesi mund të them që ishte një arritje, sepse duke menduar që kënga popullore është e vështirë të këndohet nga fëmijët ata ia arritën më së miri dhe ishin shumë të përgatitur. Ka shumë talente, që mendoj se do të ecin përpara”,– thotë Karaj.

Drejtori i QKF, Avni Çuni, theksoi gjatë fjalës përshëndetëse në këtë aktivitet, se pavarësisht vështirësive që krijoi pandemia, nxënësit dhe mësuesit e tyre u përkushtuan maksimalisht për të dhënë me të mirën.

“Edicioni i VI u bë në kushtet e pandemisë, u zhvillua online, një formë jo e lehtë për ata që morën pjesë, por jo e lehtë edhe për ne që e organizuam. E vështirë edhe për jurinë për të bërë vlerësimet, por në fund ne ia dolëm”,- tha Çuni.

M.B.