DURRËS, 14 maj 2015 – Në zbatim të ligjit “Mbi sigurinë në anije dhe në porte”, planit të sigurisë së portit, si dhe kodit ndërkombëtar të sigurisë në anije dhe në porte (ISPS), që nga muaji prill 2015 po zhvillohen trajnimet vjetore, sipas planit të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, njoftoi zyra e shtypit te drejtorisë së përgjithshme të subjektit juridik publik “Autoriteti Portual Durrës” (APD).
Trajnimi me temë “Ndërgjegjësimi me sigurinë detare” zhvillohet një herë në vit me përdoruesit e përhershëm të portit, si kompani e firma private dhe institucione e ndërmarrje shtetërore. Ndërkaq, trajnimi me efektivin e forcës së sigurisë portuale zhvillohet çdo tre muaj dhe shoqërohet me ushtrime praktike. Trajnimeve të këtij viti në seanca mësimore prej 1 orë u janë nënshtruar afro 450 punonjës të firmave dhe kompanive private dhe pastaj do të vijohet me punonjësit e administratës së APD-së.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/