Personi që shihni në pamje që blen benzinë në një pikë karburanti dhe më pas i maskuar shkon i vë flakën derës së banesës së ish-vjehrrit të motrës, është një 18-vjeçar me emrin Muajozu Ndreaj. Ai është zbuluar tashmë nga policia e Durrësit dhe u vu në pranga në kuadër të operacionit policor të koduar “Identifikimi”.

Gjithçka ka ndodhur për shkak të prishjes së një marrëdhënieje të mëparshme familjare.

Policia njofton se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së kallëzimit për një rast të dëmtimit të qëllimshëm, me zjarr, të derës së banesës së një shtetasi, për shkak të një konflikti ndërmjet tij dhe autorëve të dyshuar, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.

Nga veprimet e shpejta hetimore dhe procedurale të kryera dhe si rezulat i operacionit policor të koduar “Identifikimi”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Muajozu Ndreaj, 18 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet tyre, i ka vënë flakën derës së banesës së një 61-vjeçari (ish-vjehrri i motrës së tij).

Nga përhapja e flakëve u shkaktuan dëme materiale dhe iu rrezikua jeta e banorëve të pallatit ku banonte 61-vjeçari.

Gjithashtu për këtë rast, shërbimet e Policisë shpallën në kërkim vëllanë e 18-vjeçarit, shtetasin Ibrahim Ndreaj, 22 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se përmes celularit, ka kanosur me fjalë, 61-vjeçarin, për jetën dhe për të mos kallëzuar. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të përdorura nga këta shtetas, gjatë kryerjes së krimit, një bidon plastik ku mbahej lënda djegëse (benzinë) dhe një celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.