Ndikimi i frymës italiane në arkitekturën dhe urbanistikën e qytetit. Raporti i qytetarëve të Durrësit me regjimin fashist. Eliminimet dhe persekutimi në vitet e para pas Çlirimit, duke ndëshkuar një qytet me frymë perëndimore. Tatimi i jashtëzakonshëm që u detyruan të paguajnë tregtarët durrsakë

 

Stilet arkitekturore para dhe pas vitit '39

Krahas përshkrimit të hollësishëm të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare apo kulturore që Durrësi zhvilloi me shtetin fqinjë, Italinë, sidomos në vitet 1939-43, autori Ramazan Beja në librin e tij "Durrësi dhe italianët" i kushton një vëmendje të veçantë arkitekturës së godinave private të ndërtuara nga tregtarët dhe të pasurit e qytetit. Për të dokumentuar ndryshimet në formë dhe stil nga njëra godinë tek tjetra, Beja ka fiksuar me aparatin e tij fotografik dhjetëra ndërtesa, që kanë hedhur shtat në vitet '30-40. Disa nga faqet e librit të tij i janë rezervuar pikërisht publikimit të këtyre fotove, të cilat pasqyrojnë mjaft qartë ndryshimet esenciale, kryesisht, në fasadat e këtyre ndërtesave. Siç shkruan Beja, vitet '30 shënuan periudhën e "artë" të Durrësit, pasi përkuan me periudhën, kur qyteti ndërmori një hov dhe zhvillim të madh ekonomik. Forcimi i lidhjeve tregtare me Italinë dhe zhvillimi i ekonomisë vendase u shoqëruan menjëherë edhe me zhvillimin urban të qytetit. Brenda një harku të shkurtër kohor, Durrësi la pas etiketimin qendër "mesjetare" duke hedhur hapat e parë drejt një qyteti modern. Beja nënvizon se kthimi i Durrësit në një nyje të rëndësishme tregtare u shoqërua me nevojën për plan të ri urbanistik dhe për zgjerimin e qytetit përtej mureve të kalasë, ku ishte kufizuar deri në ato vite. Të gjithë godinat e reja që hodhën shtat në atë periudhë (kryesisht përgjatë bulevardit kryesor dhe rrugës tregtare) respektuan disa parametra të planit urbanistik si: vijën e ndërtimit, lartësitë maksimale etj. Ndërsa këto vite, ishin një periudhë "bumi" ndërtimesh, në arkitekturën e godinave dominuan dy stile: stili neoklasik e neobarok para vitit '39 dhe stili modernist pas vitit '39. Në kapitullin "Arkitektura e banesës", Beja shkruan se,- "Fryma moderniste e fundshekullit të XVIII-të vjen tek ne me vonesë……. Megjithatë s'mund të themi që kemi një arkitekturë neoklasike të mirëfilltë, por një shkrirje me arkitekturën moderniste, pasi në vitet '30 në Europë jemi në mes të lëvizjes moderne, që është liruar nga dekoret në favor të një arkitekture më racionale. Objektet e ndërtuara pas vitit '39 paraqesin në përgjithësi një stil më të thjeshtë, të pastër e racional". Për të ilustruar idenë e tij, Beja merr në shqyrtim arkitekturën e shumë godinave të ngritura nga tregtarët durrsakë. Për të bërë një krahasim sa më qartë mbi këtë çështje ai analizon dy ndërtesa të ndryshme, të ngritura nga po e njëjta familje, por në periudha të ndryshme; para dhe pas vitit '39. Duke krahasuar godina të ndryshme, të ndërtuara nga familjet Leka, Spiru, Kosova apo Dovana, Beja vë në dukje dallimet në stil. Ndërsa për të gjitha ndërtesat e ngritura para vitit '39 dominon stili i arkitekturës neoklasike (harqe, dekore, korniza të mëdha, kolonata, parmakë të punuar etj) pra kemi godina të sofistikuara, pas vitit '39 stili është thjeshtëzuar mjaft duke i qëndruar besnik atij modern (zhduken harqet, kolonat, kornizat e thjeshtëzuara, hyrjet monumentale etj). 

 

Është vërtet e çuditshme sesi rrjedha normale e një qyteti mund të ndryshojë vrullshëm dhe tërësisht në harkun kohor të pak viteve. Janë pikërisht vitet '42-47 që shënuan një kthesë gati 180 gradë në historinë e qytetit. Ndërsa nënvizon se në 12 prill të 1942 u zhvillua në Durrës demonstrata e parë antifashiste, ku u vra komunisti Sotir Noka, Beja thekson se vitet e luftës krijuan në qytet një klimë shumë fitimprurëse përsa i përket tregtisë.

Vitet 1942-47

Është vërtet e çuditshme sesi rrjedha normale e një qyteti mund të ndryshojë vrullshëm dhe tërësisht në harkun kohor të pak viteve. Janë pikërisht vitet '42-47 që shënuan një kthesë gati 180 gradë në historinë e qytetit. Ndërsa nënvizon se në 12 prill të 1942 u zhvillua në Durrës demonstrata e parë antifashiste, ku u vra komunisti Sotir Noka, Beja thekson se vitet e luftës krijuan në qytet një klimë shumë fitimprurëse përsa i përket tregtisë. Ndërkohë që të gjithë ishin prekur nga ethet e fitimit, celulat e para komuniste nisën të krijoheshin dhe të vepronin duke realizuar atentatet e para. Krahas Frontit N.Çl. në qytet vepronin edhe elementë të Legalitetit apo Ballit kombëtar. Pavarësisht lidhjeve të forta tregtare me Italinë, Durrësi nuk e donte fashizmin dhe këtë sipas Bejës e tregoi mjaft mirë me ndihmën e madhe si në njerëz ashtu edhe në para e ushqime, që familjet e pasura durrsake i dhanë luftës nacionalçlirimtare. Pas kapitullimit të Italisë fashiste qyteti dhe i gjithë vendi kaluan në duart e gjermanëve. Aleatët e Musolinit e shpallën Durrësin zonë ushtarake e për këtë arsye urdhëruan evakuimin e qytetit. Në këtë mënyrë, qyteti u zgjua në shtator të 1943 i zbrazur nga banorët e tij, të cilët u sistemuan për mëse një vit tek të afërmit e tyre në Tiranë, Kavajë apo Shijak. Durrsakët u rikthyen në shtëpitë e tyre vetëm në dhjetor të '44, pas tërheqjes së gjermanëve dhe çlirimit të qytetit nga partizanët. Në vitet që pasuan çlirimin e vendit nisi për qytetin një etapë e re shumë ndryshe nga ajo e viteve '30-42, etapë që do të linte gjurmë në memorien e shumë brezave. 

 

"Rekuizimet, sekuestrimet, shtetëzimet, taksat e fryra dhe taksat e jashtëzakonshme vazhdonin vit pas viti t'u merrnin frymën durrsakëve….. Nxjerrja nga shtëpitë me forcë e vendosja në vende pa kondita minimale të jetës, gjyqet e shumta politike të sajuara, ku çdo i shkolluar ishte i dyshimtë, ishin një hakmarrje e qartë klasore e krahinore",- shkruan durrsaku Beja në kapitullin "Durrësi fill pas Luftës së Dytë Botërore"

Persekutimi komunist

Ndërsa vitet '30 kishin qenë vite të një mirëqenieje e bollëku gjithnjë në rritje, vitet e pas luftës ishin krejt e kundërta e tyre. E kjo sipas Bejës, jo sepse në qytet ndiheshin shumë pasojat e shkatërrimeve, por për shkak të politikave që qeverisja e asaj kohe zbatoi në radhë të parë ndaj "borgjezëve" e "kulakëve" durrsakë. Beja kujton këtu urdhrin "Mbi rekuizimet" që qeveria komuniste kërkoi të zbatohej mbi disa prej mallrave ushqimore, por që repartet partizane e përkthyen në hapjen me iniciativën e tyre të magazinave të tregtarëve durrsakë. Por persekutimi i Durrësit, i qytetit "armik", sapo kishte nisur. Zgjedhjet e këshillit të ri të Frontit N.Çl., në 19 qershor 1945, do të shënonin atë që Beja e quan pabesi flagrante. Shkarkimi i kryetarit dhe sekretarit durrsak të këtij këshilli të zgjedhur shtatë muaj më parë dhe votimi për kandidaturat e imponuara nga lart do të përbënin rastet e para të largimit e më pas eliminimit të kuadrove durrsakë, të cilët megjithëse ishin të shkolluar dhe kishin dhënë kontributin e tyre personal gjatë luftës shiheshin "shtrembër". Sipas Bejës, lufta e klasave doli hapur që në muajt e parë pas çlirimit të vendit. "Rekuizimet, sekuestrimet, shtetëzimet, taksat e fryra dhe taksat e jashtëzakonshme vazhdonin vit pas viti t'u merrnin frymën durrsakëve….. Nxjerrja nga shtëpitë me forcë e vendosja në vende pa kondita minimale të jetës, gjyqet e shumta politike të sajuara, ku çdo i shkolluar ishte i dyshimtë, ishin një hakmarrje e qartë klasore e krahinore",- shkruan durrsaku Beja. Në kapitullin "Durrësi fill pas Luftës së Dytë Botërore", Beja përmend disa nga intektualët e tregtarët durrsakë që u eliminuan të parët nga qeveria e Enver Hoxhës. Eliminimet pa gjyq të Muhamed dhe Sadik Dakolit, Ramazan Jellës, Gani Kalasë, doktor Tahir Beshirit apo vrasjet e deputetëve të parë durrsakë: Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Nako Spiru për të vazhduar me diskriminimin lokalist 45-vjeçar të rinisë durrsake në shkollim dhe poste administrative e qeveritare do të ishin dëshmi sipas autorit e qëndrimit të diferencuar dhe lokalist që regjimi i kohës mbante kundrejt Durrësit. Eliminimi i kundërshtarëve politikë, sidomos figurave të shkolluara, ishte një praktikë që regjimi i Hoxhës e vuri në zbatim për t'u mbyllur gojën zërave kundër, intelektualëve që nuk pajtoheshin me politikat dhe ideologjinë e kohës. Janë mjaft domethënëse vargjet e poetit durrsak Alfons Dovana, që Beja i citon në librin e tij:

Se s'paska gjë më të hidhur se sa të vuash një dënim,

për faje të pabëra të ndjeki një mallkim.

Ky mallkim sipas Bejës erdhi për faktin se Durrësi e mbështeti luftën antifashiste sepse aspironte lirinë dhe Perëndimin, koncepte këto që binin në kundërshtim me ideologjinë e sistemit komunist. Fjalët "Këtu Radio Londra! Ju flet Tajar Zavalani" ishin ushqimi i përnatshëm,- shkruan Beja,- i familjeve durrsake në kohën e luftës dhe vitet pas saj. Pikërisht kjo ëndërr për lirinë, për ekonominë e tregut, për një botë pa kufij e pa luftë klasash, pra për çdo gjë perëndimore do të përbënte hendekun, që do ndante botëkuptimin e durrsakëve nga propaganda e diktaturës së proletariatit.  

Tatimet e jashtëzakonshme

Ky mallkim do t'i shoqëronte gati të gjitha familjet e pasura durrsake, të cilat do të tatoheshin dhe do t'u konfiskoheshin të gjitha pasuritë, anëtarët e të cilave do të burgoseshin apo eliminoheshin pa gjyq. Në një listë të gjatë të marrë nga gazeta "Bashkimi", e muajit dhjetor 1945 dhe janar 1946 Beja përmend të gjitha familjet tregtare durrsake apo shoqëritë italiane, të pranishme ende në vendin tonë, që u detyruan të paguanin shuma marramendëse të tatimit të jashtëzakonshëm. Lista kryesohet nga tregtarët Jonuz e Nexhmi Shijaku dhe Vllazën Dovana që duhet të paguanin respektivisht rreth 72 dhe 28 milion franga; apo kompania italiane Fratelli Feltrinelli e taksuar me 14.6 milion franga. Të gjitha këto taksime dëshmojnë mjaft qartë ndëshkimin që pushteti i kohës përdori ndaj tregtarëve durrsakë, që në ato vite me investimet e realizuara kontribuuan në zhvillimin ekonomik e urban të qytetit të tyre. 

Duke u ndalur në këto vite të rëndësishme të historisë së qytetit mijëravjeçar, Beja arrin të sjellë para lexuesve, kryesisht atyre të brezit të vjetër, ngjarje, data e personazhe që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive. Duket se synimi i Bejës nuk ka qenë të sjellë një vepër të mirëfilltë letrare apo historike, por më shumë të bënte një ekspoze të shkurtër të disa prej viteve më domethënëse në historinë e Durrësit, që përcaktuan edhe për shumë kohë më pas botëkuptimin, ëndrrat dhe aspiratat e brezave të tërë. Pavarësisht se libri i Bejës nuk thellohet në analizën e shumë ngjarjeve të asaj kohe dhe nuk është i pajisur me bibliografinë e nevojshme për një botim të kësaj natyre ai prapëseprapë shërben për të qenë një dëshmi autentike e zhvillimeve ekonomike, politike e kulturore që karakterizuan historinë e qytetit dhe banorëve të tij para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

 

TATIMI I JASHTËZAKONSHËM

Familjet durrsake që u detyruan të paguajnë

(marrë nga gazeta "Bashkimi" e muajit dhjetor 1945-janar 1946)

Jonuz e Nexhmi Shijaku         72.281.041 franga

Vllazën Dovana                       28.402.436

Kalemi e Rrufa                        19.979.428

Aristidh Leka                          18.687.439

Vangjel Manushi                     9.755.619

Vasil Papaj                              9.134.921

Mustafa e Hamza Kosova     7.923.070

Vllazën Leka                           6.807.488

Hysen e VII. Fani                   4.865.079

Telemak Nushi                        3.800.854

Xhelo Aliçi                               3.800.300

Dhori Fora                               2.677.349

Ali Kruja e Asim Myshketa    2.567.600

Vllazën Muzina                       2.552.685

Vangjel K. Spiru                     2.248.799

Llambro Duni                          1.799.182

Stergio A. Koxhaj                   1.660.500

Vllazën Bakiri                         1.439.759

Dhimitër Tirana                       1.423.930

Vëllezërit Rroço                      1.141.587

Mihal Tati                                1.041.193

Athanas Tiro                           850.628

Mihal Llambro                        850.170

Gani Kalaja                             783.672

Fani, Bila, Jareci                      701.220

Tahir Beshiri                            650.008

Spiru e Anastasiadhi               635.896

Ali Veli Kodra                         575.693

Lluka Rrufa                             495.218

Sotir Dushi                              425.879

Vllazën Xhumrri                     393.483

Teodor Ziu                              382.114

J. e Ll. Marto dhe Dh. Rika    373.782

Minush Zaja Çelebija              361.044

Mustafa Lila                            319.400

Stefan e Nikoll Tati                 300.065

Halil Beshiri                            239.497

N., E., A., R. e I. Gjata           279.780

Sulejman Beja (1947)              1.000.100

Haik Ballxhian (1945)             228.221

Levon Bodikian (1945)           88.220