Sipas kreut të policisë bashkiake, Adriatik Velaj, tendenca për të zënë hapësirat publike është kthyer në gangrenë për qytetin
Mangësitë ne organikë i penalizojnë efektivat e policisë bashkiake të mbikqyrin nga afër gjithë problematikat e këtij sezoni veror
Numri i paktë i punonjësve të policisë bashkiake në Durrës ka vënë këtë shërbim në pozitë shumë të vështirë. Drejtori i kësaj policie, Adriatik Velaj, ka bërë të qartë se gjatë verës situata rëndohet pasi shumëfishohen problemet. Tendenca për të zënë hapësirat publike në plazhin e madh, numri shumë i madh i tregtarëve ambulantë që ushtrojnë aktivitetin përgjatë vijës bregdetare, zënia e hapësirave publike dhe trotuareve, ndotja akustike gjatë natës dhe çështje të tjera janë disa nga problemet me të cilat përballet ekipi i vogël i punonjësve të policisë së kryesuar nga Velaj. Nga Ura e Dajlanit deri në Plepa ka 50 plazhe private dhe 2 plazhe publike të regjistruar. Për të ushtruar me kompetencë detyrimet institucionale kjo polici kërkon që të shtohet numri i punonjësve. Velaj thotë se nga 18 punonjës që ka sot policia bashkiake numri duhet të shkojë deri në 50. Drejtori i kësaj policie ka pohuar se bashkëpunimi me policinë e rendit, inspektariatin e policisë rrugore, agjensinë e mjedisit dhe tatimet ka qenë në nivelet e duhura.
Prej disa vitesh shqetësim kryesor në sezonin e verës janë plazhet private. Si paraqitet situata në terren?
Policia bashkiake kryen funksionet e saj mbështetur në detyrimet ligjore dhe planet e miratuara nga kryetari i bashkisë. Çështja e zënies së sipërfaqeve të rërës dhe e ushtrimit të aktivitetit nga subjekte të ndryshme në plazhet private është një nga pikat kyçe të përqendrimit të punës sonë. Me fillimin e sezonit të verës është rishfaqur tendenca e disa personave për të ushtruar aktivitet pa pasur asnjë lloj leje nga bashkia. Bëhet fjalë për plazhet private të cilat shtrihen nga Ura e Dajlanit deri në Plepa dhe të tjerat në bregdetin e Kallmit, Currilave dhe Porto Romanos. Deri më tani kemi regjistruar 50 plazhe private me dokumentacion të rregullt. Ata kanë paguar detyrimin për bashkinë, detyrim që është 300 mijë deri në 360 mijë lekë. Si polici bashkiake këto subjekte i kemi pajisur me akte kontrolli dhe sa herë që shkon punonjësi ynë pronarët e plazheve private nxjerrin këtë dokument si dëshmi e pagesës dhe ushtrimit të aktivitetit me leje. Por kemi edhe subjekte që nuk rezulton të kenë dokumentacion të rregullt. Ne u kemi lënë 2-3 ditë afat dhe pas paralajmërimit do të vijohet me gjobë e sekuestrim të shezlloneve dhe çadrave. Bashkia ka të përcaktuar hartën e ushtrimit të aktivitetit të tyre si dhe ka planifikuar edhe plazhet publike. Sot kemi dy të tillë, një tek Rrota e Kuqe me 450 m2 dhe tjetrin tek Apollonia, ndryshe tek anija e prishur me 400 m2.
Një parcelë e plazhit privat është mesatarisht 200 m2, me përmasa 10 m x 20 m. Sipas vendimit të bashkisë plazhi privat nuk mund të ketë më shumë hapësirë pasi është përcaktuar që në çdo parcelë të ketë 34-40 çadra. Ka tendecë për të shtuar më shumë çadra. Kemi pasur ankesa vit pas viti. Edhe sivjet kemi bërë disa aksione dhe verifikime. Plazhi këtë vit ka fare pak frekuentues dhe në një situatë të tillë pronarët e plazheve provizore për të justifikuar pagesën prej 300 mijë lekësh shtojnë sipërfaqen. Efektivat tona janë ndeshur edhe në kundërshtimin e disa personave, të cilët ushtrojnë aktivitet të tillë pa asnjë dokument. Ata kanë tentuar ta mbajnë forcërisht sipërfaqen e zënë. Puna e policisë bashkiake sidomos në këtë stinë vështirësohet shumë. Na është dashur të kërkojmë ndihmë edhe tek efektivat e policisë së rendit. Ne ua kemi bërë të ditur të gjithëve se nuk do të tërhiqemi para askujt që shkel ligjin. Në plazh do të ushtrojnë aktivitet vetëm ata që kanë dokumentacion të rregullt. Puna jonë do të shtrihet edhe në Currila, Kallm e Porto Romano. Jemi vënë në dijeni se edhe atje ka probleme me zënien e hapësirave publike nga shezllone e çadra të privatëve të cilët nuk janë të regjistruar. Brenda këtyre ditëve do të verifikojmë një nga një të gjitha dhe do të hartojmë një relacion për ta paraqitur tek kryetari i bashkisë. Shfrytëzimi i paligjshëm i hapësirave publike do të marrë fund në një të ardhme të afërt. Ne i detyrohemi qytetarit dhe pushuesit ndaj do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ata të ndihen mirë në bregdetin e Durrësit.
Me fillimin e verës vërehet tendenca e lokaleve për të zënë hapësirat publike me karrige e tavolina. Si do të proçedoni në këto raste?
Kemi shumë ankesa nga qytetarët. Mbetet edhe sot problem shumë serioz. Duhet pranuar se zënia e trotuareve, lulishteve, rrugëve, shesheve është bërë gangrenë e qytetit tonë. Situata nuk mund të vazhdojë më tej në këtë gjendje. Bashkia këto ditë e ka përqendruar vëmendjen nga plazhi i madh për të plotësuar detyrimet tona, pasi bregdeti ynë frekuentohet shumë nga pushues që vijnë nga rrethet, Kosova, Maqedonia dhe emigracioni. Përqendrimi i forcave tonë në plazh ka bërë që shumë biznese, lokale, bar-bufe, fast food-e të përfitojnë duke zënë trotuaret me karrige. Një pjesë e këtyre bizneseve janë të pajisur me leje në të cilën përcaktohet numri i tavolinave, ndërsa pjesa më e madhe shfrytëzojnë trotuaret dhe hapësirat e tjera publike në mënyrë të kundërligjshme. Inspektorët tanë në terren si dhe informacionet që vijnë nga komunat apo qytetarët dëshmojnë se problemi shfaqet gjithandej në qytet.
Shqetësues është fenomeni në rrugët kryesore të qytetit, në rrugën “Tregtare”, “Skënderbeu”, “Aleksandër Goga”, bulevardi kryesor, sheshi tek busti i Azem Hajdarit, bulevardi “Nako Spiru”, shëtitorja “Taulantia” etj. Janë zënë trotuaret, por edhe lulishtet. Gjithandej tavolina e karrige. Bizneset përfitojnë edhe nga fakti se ne kemi shumë pak efektiva dhe nuk ia dalim dot të gjitha punëve në stinën e verës. Shpresojmë të zgjidhim shumë shpejt problemin e gjetjes së një magazine diku në Shkozet. E kemi të domosdoshme sepse tavolinat, karriget, çadrat, shezllonet që sekuestrojmë gjatë punës duhet t’i magazinojmë dhe t’i ruajmë. Ato në fund të fundit janë pronë e dikujt dhe ne duhet të tregojmë shumë kujdes për ruajtjen dhe magazinimin e tyre deri në zgjidhjen e problemeve me tregtarët apo pronarët. Vitin e kaluar janë ndëshkuar me gjoba shumë persona që kanë zënë hapësirat publike me karrige e tavolina. Edhe sivjet do të inspektojmë çdo rrugë e rrugicë, çdo shesh e lulishte.
Sa ju penalizon në punë numri i pakët i efektivëve që keni në dispozicion?
Policia bashkiake ka 18 efektiva policie, një inspektor dhe shefin e policisë. Gjithsej 20 punonjës. Është fare pak. Edhe në dimër ky numër është i vogël dhe jo më tani që punët 5-6 fishohen, sidomos në zonat e plazheve, por edhe brenda në qytet. Me këta punonjës policie na duhet të kontrollojmë plazhet, tregtarët ambulantë, ndotjen akustike, punimet e subjekteve të ndërtimit, hapësirat publike, lokalet, dyqanet. Kemi vetëm një furgon dhe 2 autovetura. Janë pak mjete dhe shumë pak efektiva. Edhe sivjet bëmë kërkesë në Këshillin Bashkiak për ta çuar këtë numër në 50 punonjës. Nëse kjo organikë do të shihet e arsyeshme për t’u miratuar atëherë ne do të kemi shumë rendiment në punë dhe pushuesit e qytetarët do të jenë të kënaqur. Durrësi në verë ka 300 mijë banorë dhe shtrirja jonë është e madhe. Deri më tani Këshilli Bashkiak nuk e ka parë të arsyeshme për të shtuar numrin e efektivëve të policisë bashkiake. Ne do të përpiqemi, që përmes informacioneve të plota t’u mbushim mendjen këshilltarëve se shtimi i numrit në organikë do të sigurojë më shumë arkëtime për bashkinë dhe do të disiplinojë tregtarët e bizneset e ndryshme.
Në plazh dhe në qytet vërehet se ka shumë tregtarë ambulantë. Aktiviteti i tyre është i kontrolluar apo jo?
Nëse tavolinat e karriget janë bërë shqetësim i madh në qytet, tregtarët ambulantë bëjnë një figurë shumë të keqe në plazh. Ne po e studiojmë këtë çështje dhe duhet të disiplinojmë sa më parë këtë lloj aktiviteti të palicensuar. Tregtarët ambulantë marrin leje dhe qëndrojnë në pika të cilat caktohen paraprakisht. Por gjendja në Plazhin e madh është kaotike. Karroca, motorë, biçikleta të mbushura me mall më shumë bezdisin pushuesit, sesa i afrojnë shërbim atyre. Ata lëvizin përgjatë gjithë vijës bregdetare duke ua marrë pushuesve rërën. Mund të them se në plazh ka më shumë tregtarë ambulantë sesa pushues. Ka prej tyre që kanë më shumë mall në karroca sesa një tregtar në dyqan e në lokal. Kjo kategori nuk ka marrë asnjë leje në drejtorinë e shërbimeve për të ushtruar aktivitet provizor.
Që nga 1 korriku kemi nisur t’i evidentojmë për t’u bllokuar aktivitetin. Kontrolli i cilësisë së mallit është objekt i strukturave të tjera. Për ne si polici bashkiake ka rëndësi që tregtari të jetë i pajisur me leje. Ndryshe aktiviteti i tyre pushon dhe malli sekuestrohet. Regjistrimi i tregtarit ambulant rrit garancinë e mallit që shitet. Është e udhës të themi se do të kalojnë në kontroll të plotë edhe taksitë që shërbejnë në zonën e plazhit e në qytet. Ka taksi 4+1 dhe 8+1 që spekullojnë në këtë drejtim. Kryesisht janë taksi me targa të bardha. Vetëm në tre ditët e fundit kemi gjobitur disa taksistë dhe kemi arkëtuar më shumë se 120 mijë lekë. Gjoba jonë si polici bashkiake varion nga një mijë lekë deri në 5 mijë lekë. Përsëritja e aktivitetit të paligjshëm i përball ata me inspektoriatin e policisë rrugore, e cila ua bllokon mjetin.
Një problem më vete për sezonin e verës dhe kryesisht në zonën ku akomodohen pushuesit është edhe ndotja akustike. Ç’masa keni marrë në këtë drejtim?
Këtë sezon kemi pasur shumë pak ankesa për ndotjen akustike. Bashkë me policinë e rendit kemi kaluar pranë lokaleve të plazhit që kanë muzikë në mjedise të hapura e të mbyllura dhe u kemi bërë të qartë orarin. Vitin e kaluar shqetësimet e qytetarëve kanë qenë thuajse të përditshme. Ndërsa që nga fillimi i sezonit e deri tani vetëm një ankesë ka ardhur për zhurmën nga muzika e lartë pas mesnatës në zonën Apollonia në Plazh. Kemi bashkëpunuar edhe me agjensinë rajonale të mjedisit. Ne po mbajmë nën vëzhgim lokalet që një vit më parë kanë qenë problem në këtë drejtim. Ua kemi bërë të qartë se do të gjobiten dhe do u mbyllet aktiviteti nëse do të vërehet shkelje e orarit. Muzika do të lejohet deri në ora 23.00 gjatë ditëve të javës, kurse në fundjavë deri në ora 24.00. E theksova edhe më sipër bashkëpunimin e mirë me disa struktura të tjera dhe kjo ka dhënë efekte pozitive. Shpresojmë që bashkëpunimi të vazhdojë edhe këtë sezon. Puna jonë do të vijë duke u shtuar pasi nga 10 korriku pritet fluksi i emigrantëve dhe pushuesve kosovarë.