1,500 vende të lira pune nga 63 biznese të mëdha në qarkun e Durrësit ofroi Panairi i Punës dhe Aftësive duke u kthyer kështu në një pikëtakimi të rëndësishëm mes punëmarrësve dhe punëkërkuesve.

Për Ministren e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, rritja ekonomike e vitit të kaluar, e njohur dhe nga organizmat ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, po vijon edhe përgjatë 3-mujorit të parë të 2022-it, por pak më e ngadaltë për shkak të konfliktit Ukrainë – Rusi.

Pikërisht prej këtyre faktorëve të jashtëm, Ekonomi nënvizon se fokusimi tek rritja ekonomike është prioritet i qeverisë Rama dhe për këtë arsye i duhet dhënë përparësi sektorëve që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë rritje, siç janë bujqësia dhe turizmi, por dhe ato që lidhen me inovacionin dhe formimin profesional.

Duke u ndalur tek panairi i sotëm, Ekonomi vuri në dukje se aktiviteti shërbeu për të krijuar ura lidhëse mes bizneseve që ofrojnë vende pune, punëkërkuesve dhe ndërmjetësve që mundësojnë plotësimin e stafeve me fuqi punëtore.

Sipas ministres, tashmë të gjithë këta faktorë mund të takohen jo vetëm fizikisht por edhe online, përmes platformës “Duapunë”, duke thjeshtësuar kështu kontaktin mes sipërmarrjeve dhe institucioneve që ofrojnë punë dhe punëkërkuesve që janë në kërkim të pozicioneve të lira.

E pyetur nga “DurrësLajm” lidhur me deklaratën e kryeministrit Rama për kërkesën e ethshme të sektorit të turizmit në Durrës për fuqi punëtore, Ekonomi vuri në dukje faktin se qyteti bregdetar ka bërë hapa përpara në këtë drejtim duke u treguar inovator me plotësimin e stafit me personel të huaj.

“Mundësia për të punësuar staf nga vendet e tjera është rritur. Në disa biznese në Durrës ka punonjës që vijnë nga vendet e Ballkanit, si Maqedonia, Kosova, Serbia, por dhe më tej si Turqia, apo akoma më tek si Filipinet, apo akoma edhe më tej siç është Nigeria dhe Egjipti. Zona e Durrësit ka qenë e shpejtë dhe e përshtatur mirë me kërkesat që ka tregu, që përveç punëtorëve që vijnë nga tregu shqiptar të shikojë edhe për tregje më të gjera pune”,– tha Ekonomi.