*Një nxënës i vitit 1945 kujton ditën e parë në gjimnazin e parë të Durrësit…

Nga Gëzim KABASHI

Të mërkurën, më 9 shtator, Durrësi duhet të kujtojë një datë të rëndësishme: 75-vjetorin e gjimnazit të parë të qytetit.

Ditën e parë të shkollës, 9 shtator 1945, e kujton me një kthjelltësi për t’u admiruar Ruzhdi Cara, tashmë 91 vjeç, nxënës në klasën e 1-rë A të gjimnazit të qytetit. “Për ne që u ulëm në bankat e gjimnazit të parë është datë shumë e rëndësishme, por besoj se edhe për Durrësin duhet të jetë e tillë”, thotë Cara.

“Në vitin e parë shkolla e mesme, nuk kishte ende një emër”, tregon z. Ruzhdiu, i cili kujton me radhë mësuesit dhe shokët e shoqet e klasës.

Drejtori i parë i gjimnazit ka qenë mësuesi Vasil Ziu.

Nxënësi 16-vjeçar i asaj kohe, kujton me shumë respekt mësuesit e shkollës, duke nisur që nga ai kujdestar, Gaqo Theodhori, i cili u mësonte gjuhën frënge.

Stafi pedagogjik i vitit 1945 kishte në përbërje figura të shquara si Arshi Pipa (letërsi), Beni Qeraxhia (fiskulturë),  Thanas Gjergo (gjuhë shqipe), Beniamin Dashi (histori-gjeografi), etj.

Cara shton se vitin e parë ata u sistemuan pranë kishës së Shën Gjergjit, në ndërtesën e Legatës italiane, e cila ishte sekuestruar pas luftës.

Por ajo ishte një godinë e papërshtatshme, me salla të mëdha, me kuzhinë dhe mencë, e që nuk i shërbenin procesit mësimor.

“Ne u transferuam vitin e dytë shkollor në godinën që mori emrin shkolla “16 shtatori”, vijon mbresat e tij të gjimnazit z. Ruzhdiu, duke shtuar se ndërtesa ku kishte nisur mësimet gjimnazi i Durrësit 75 vjet më parë, ishte djegur më vonë nga një zjarr aksidental.

Ai sjell më pas edhe disa foto që i përkasin shkollës së vjetër, si dhe festës së 25-vjetorit të maturës së parë të vitit 1948.

“Festa u organizua në shkollën “Naim Frashëri” dhe u mblodhëm edhe një herë, tashmë të pjekur, familjarë dhe secili në profesionet e veta.

Ja djemtë dhe vajzat e klasës 1 A në gjimnazin e parë të Durrësit.

Pjesa më e madhe nuk janë më, por këto foto e kujtime janë një rast shumë i mirë për ti parë me kureshtje ato.

Dilaver Cara, Vangjel Koja, Vangjel Moisiu, Fiqiri Këlliçi, Fiqiri Lila, Masar Kapidani, Gjergj Vlashi, Rasim Hoxha, Bedri Dedja, Haki Sula, Bedri Kokomani, Nora Goga, Afërdita Kokolari, Kristavgji Reka, Afërdita Rama, Ollga Moisiu, Ruzhdi Cara, Mumtaz Bakiri, Selaudin Mustafaraj, Remzi Tivari, Xhemma Tirana, Spiro Belkovi, Thanas Guda si dhe nxënësit Prandvera Luga, Manushaqe Borshi, Dhoksia Noti, Astrit Hoxha, Hasan Shehu, Moisi Batino, Gasper Kamsi, Shpëtim Puka.