Nga Mila Ballhysa

Vitin e ri shkollor, nxënësit e 14 shkollave të Durrësit e nisën në orën 14.00. Për të tretin vit radhazi, ata detyrohen të bëjnë mësim pasdite, sepse studiojnë në shkolla pritëse. Tërmeti i 26 nëntorit 2019, përveç dëmeve në banesa, la pasoja të rënda dhe në shumë institucione arsimore të bashkisë Durrës.

Pandemia Covid-19 e përkeqësoi edhe më shumë situatën dhe për shkak të protokolleve të sigurisë, në shumë shkolla të qytetit bregdetar mësimi do të bëhet me 4 turne.

Faktin e pranon drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti, e cila thotë: “janë marrë të gjitha masat që mësimi mos të cenohet as në shkollat pritëse dhe as në shkollat që po transferohen nga godinat aktuale”.

Citizens Channel mëson se në institucionet arsimore, ku do të zhvillojnë mësimin dy shkolla së bashku, orët do të variojnë nga 25-30 minuta. Nxënësit e shkollës së parë do të zhvillojnë procesin mësimor në dy turne (08.00 – 10.40 dhe 11.00 – 13.40), ndërsa nxënësit e shkollës tjetër në dy turnet e fundit (14.00 – 16.40 dhe 17.00 – 19.40). Mësimi në këto shkolla do të bëhet sipas nismës “Tri lëndë në gjashtë orë”.

Pas një periudhe të gjatë mësimi online, që pati problematikat e veta, zhvillimi i orëve të mësimit me orar të cunguar, pritet ta dëmtojë edhe më shumë procesin e mësimdhënies. Duke kujtuar këtu që nga fundi i nëntorit 2019, nxënësit e sistemit parauniversitar në Durrës janë përballur me ndërprerjen e mësimit nga tërmeti, karantinimin në shtëpi për shkak të pandemisë, mësimin online dhe mësimin me turne për një kohë të gjatë, dijet e marra prej tyre në dy vite shkollore mund të lënë për të dëshiruar.

Shkollat e dëmtuara nga tërmeti ende të pa shembura

Dy gjimnazet ikonë të Durrësit, “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Kastrioti” vazhdojnë të qëndrojnë “në këmbë”, 22 muaj pas tërmetit. Megjithëse mirëpritën gjimnazistët në muajin dhjetor 2019, ata kyçën dyert për të mos i hapur më në fillim të marsit 2020, kohë kur në vendin tonë u evidentuan rastet e para me Covid-19.

Oborri i shkollës “Benardina Qeraxhia”

Nga një vëzhgim që bëmë këto ditë, braktisja prej më shumë se një viti e gjysmë ka bërë punën e vet. Në gjendje më të rënduar është shkolla e mjeshtërisë sportive “Benardina Qeraxhia”. Një godinë që as emri nuk i ka mbetur, ndërkohë që mungojnë shumë nga dyert dhe dritaret nëpër klasa. Në oborr, ajo që e dëshmon më së miri braktisjen e gjatë është gjelbërimi, ku pemët dhe shkurret dekorative janë drejt tharjes.

Ndërsa dy gjimnazet “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Kastrioti”, ku për shumë vite me radhë kanë studiuar breza të tërë durrsakësh, nga një vëzhgim i bërë nga kangjellat e dyerve të hekurta, të kyçura, nuk shfaqin shenja të dukshme të dëmtimeve të rënda për të cilat Instituti i Ndërtimit u vuri kryqin e kuq (godina që duhen shembur).

Nxënësit e këtyre gjimnazeve do të ndjekin mësimin këtë vit shkollor në turnin e tretë dhe të katërt, respektivisht në shkollat “Shaqe Mazreku” dhe Marie Kaçulini”.

Instituti i Ndërtimit, me ekspertizat e thelluara, të realizuara në muajt pas tërmetit, i deklaroi 31 godina të dëmtuara rëndë dhe për këtë arsye vendosi shembjen e tyre. Por vendimet për shembjen e 14 prej këtyre godinave, rindërtimi i të cilave do të realizohet me fondet e BE-së në kuadër të programit “BE për shkollat” nuk kanë kaluar ende në Këshillin Bashkiak Durrës.

Shkak u bë auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili vlerësoi se Bashkia e Durrësit dhe Instituti i Ndërtimit shkelën kuadrin ligjor gjatë procesit të vlerësimit të dëmeve.

Por duket se pas më shumë se një viti bllokim, drita jeshile për shembjen e tyre është dhënë.

Bashkia Durrës, në një përgjigje me shkrim, për Citizens Channel sqaron se pas rekomandimit të bërë nga KLSH, institucioni i qeverisjes vendore ka ngarkuar një bashkim operatorësh (“Arkonstudio” shpk + “A.L.T.E.A & Geostudio 2000” shpk + “Erald-G”) të kryejnë një ekspertizë të re të thelluar në këto objekte arsimore.

Në zbatim të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”,  Arkonstudio sh.p.k ka hartuar akt ekspertizat e thelluara të objekteve të vendimit nr.32 të KSHR. Këto akt-ekspertiza janë drejtuar pranë Institutit të Ndërtimit për të bërë oponencën e tyre. Akt-ekspertizat dhe oponenca e Institutit të Ndërtimit për këto objekte arsimore, kanë ardhur pranë Bashkisë Durrës me shkresën nr. 661/35 prot.dt 16.09.2021. Bashkia Durrës ka plotësuar kështu rekomandimin e KLSH dhe në mbledhjen më të afërt të KB do të marrë vendim për këto objekte për vazhdimësinë e punës”,- sqaron bashkia.

Pritet që në mbledhjen e datës 30 shtator, të kalojnë për miratim në Këshillin Bashkiak vendimet për prishjen e këtyre godinave, për t’u hapur rrugë rindërtimit të tyre.

Rindërtimi i shkollave të dëmtuara

E ftuar në Festivalin Ndërkombëtar të Arkitekturës, BiArch 2021, që zhvillohet në Bari, në Itali, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, foli para të pranishmëve për procesin e rindërtimit të qytetit bregdetar, pas dëmeve katastrofike që shkaktoi tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Gjatë fjalës së saj, Sako tha se janë 14 objekte shkollore të rindërtuara me fondet e qeverisë shqiptare dhe programit EU4Schools, me kushte bashkëkohore, të ngjashme me shkollat në vendet evropiane si në Francë, Itali apo Gjermani.

Për vite me radhë, ndërhyrjet për rikonstruksionin e godinave arsimore në Durrës ishin shumë të rralla, duke bërë që shumë shkolla, por edhe kopshte e çerdhe të linin shumë për të dëshiruar përsa i përket kushteve që ofronin për nxënësit dhe stafet pedagogjike.

Tërmeti i 26 nëntorit la dëme të konsiderueshme pas, por nga ana tjetër, pasojat e rënda kanë edhe anën e tyre të mirë. Shumë shkolla po rindërtohen nga e para dhe në përfundim të procesit të Rindërtimit problematika e mësimit me dy turne pritet të mos ekzistojë më. Shtimi i popullsisë në 30 vitet e fundit në qytetin bregdetar, e për pasojë dhe e nxënësve nëpër shkolla, nuk reflektohej në ndërtimin e godinave të reja arsimore.

Shkollat e rindërtuara nga e para pas tërmetit, kanë rritur ndjeshëm kapacitetin e tyre duke u përshtatur kështu me rritjen e popullsisë në lagjet apo njësitë administrative që ato mbulojnë. /Citizens Channel