Pak nga pak durrsakët po humbasin Vilën e Zogut, monumentin kujtim të një kohe më madhështore, të një kohe me të cilën mund të krenoheshin.

Vila mbretërore e Zogut po shkon drejt degradimit total.

Ndërsa sheh nga larg gjendjen e mjerueshme të saj, arkitekti Indrit Hamiti apelon që godina të përfshihet në programet për rikuperimin e trashëgimisë kulturore në Durrës.

“Durrësi është në një moment interesant në lidhje me investimet për rikuperimin e trashëgimisë kulturore. Tërmeti shërbeu në njëfarë mënyre edhe si një inçentivues për lobimin dhe sjelljen e fondeve për rikuperimin e trashëgimisë kulturore në Durrës.

Në këtë sens do të bëja apel që Vila e Zogut të bëhej pjesë e këtyre programeve.”

Por çfarë përfaqëson “Pallati mbretëror i Zogut”, godina që qëndron prej gati 90 vjetësh në majën e kodrës mbi Kala?

Historia e Vilës së Zogut nis në vitin e largët 1925.

Indrit Hamiti na tregon se për ndërtimin e saj janë angazhuar 3 arkitektë njëri pas tjetrit.

Sipas studiuesit Dorian Hatibi, origjina e saj edhe sot është e mbuluar nga misteri.

Por jo rastësisht godina u ndërtua në këtë kodër, nga më piktoresket në Durrës.

Hatibi thotë se në mes të viteve 1800, zona ishte identifikuar nga arkeologët francezë si pozicioni ku ngrihej akropoli i dikurshëm i qytetit.

“Akropoli ishte vendndodhja ku banonin udhëheqësit, priftërinjtë dhe elita ushtarake e një qyteti. Ishte gjithashtu zona që bënte kontaktin e botës shpirtërore me atë tokësore. Kështuqë ishte një zonë jashtë mase e rëndësishme në kuptimin simbolik.”

Godina, që sot ka pamjen e trishtueshme të shkatërrimit, ka qenë dikur vila rezidenciale që ka pritur figura të rëndësishme botërore.

“Vila nuk do të përdorej për shumë kohë nga mbreti Zog, pasi qyteti i Durrësit do të pushtohej nga italianët dhe gjatë kohës së luftës së dytë botërore Vila përdoret nga oficerët e lartë gjermanë si rezidencë.

Më pas edhe nga komunistët ka të njejtin funksion, pra përdoret si vilë rezidenciale për pritjen e delegacioneve zyrtare.

Është shumë interesante të kujtojmë se në këtë vilë ka qëndruar gjatë vizitës së tij në Shqipëri Nikita Hrushov, princi i Kamboxhias bashkë me princeshën e tij dhe në vitin 1993 ish-presidenti i SHBA-ve, Jimmy Carter.”

Pas kësaj epoke të lavdishme, goditjen e parë drejt degradimit total vila e merr në vitin 1997.

Hatibi: “Në vitin ‘97 godina pëson një plaçkitje totale, pra rrënohet në atë që ishte ‘çmenduria’ e viteve ‘97 dhe më pas rreth viteve 2000 i kthehet pronarit legjitim, pra familjes mbretërore.”

Hamiti: “Çështja është që pas shkatërrimit që ndodhi në ‘97-tën, këtu u hoqën edhe dyert edhe dritaret, u hoqën të gjitha dekoracionet. Të gjitha këto detajet që hiqen praktikisht e lanë vilën në mëshirën e fatit.”

Sot ajo qëndron e kyçur.

Ndërsa mban statusin e një godine private, qytetarët dhe turistët nuk mund t’i shijojnë nga afër ato pak gjëra që kanë mbetur nga historia e saj.

“Aktualisht ka statusin e një godine private, por është si të thuash godina ceremoniale më e dukshme e qytetit të Durrësit dhe më përfaqësuesja pasi mund ta shikosh edhe në distanca shumë të larta, qoftë nga deti, qoftë dhe nga toka.”,- thotë historiani Hatibi.

Por a mund të shpëtohet ajo që ka mbetur nga vila historike?

Arkitekti Indrit Hamiti nuk i ka shuar shpresat dhe sytë i ka për nga pushteti vendor dhe ai qendror.

“Unë mendoj që këtu duhet të bëhet aktor i fuqishëm bashkia, në rastin më të mirë, ose pushteti qendror, sepse sado që të investohet privati, çfarëdolloj privati qoftë, qoftë bankë apo individ, në çdo rast do ta kenë të vështirë që t’i japin atë sharm që vila ka pasur.“

K.Gj.