Starton në Durrës Kampionati Botëror i Shahut për fëmijë të moshave 6-12 vjeç. Në këtë event ndërkombëtar mjaft të rëndësishëm, të organizuar nga Federata Botërore e Shahut (FIDE) dhe Federata Shqiptare e Shahut (FSHSH), marrin pjesë 380 shahistë të vegjël nga 48 shtete pjesëmarrëse nga e gjithë bota, në garat Rapid dhe Blitz, në kategoritë U-8, U-10 and U-12.

Në ceremoninë hapëse të kampionatit botëror ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj, i cili e deklaroi zyrtarisht të hapur kampionatin, duke kryer edhe lëvizjen e parë.

“Është një event mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë jo vetëm se marrim pjesë 350 fëmijë shahist nga 8-12 vjeç, të shoqëruar nga prindërit e tyre, por sepse vendi ynë ka mundësinë të tregohet si organizator mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar dhe si mikëpritës për aktivitetet promovuese të talenteve ndërkombëtare të shahut. Një sport traditë në vendin tonë, por jo vetëm,”-u shpreh Begaj.

Të pranishmit që morën fjalën ftuan brezin e ri të angazhohet më shumë me veprimtari sportive.

Ekipi i vendit tonë përbëhet nga 60 shahistë, të cilët do të garojnë gjatë 3 ditëve për të zënë vend në podiumin e nderit.

Kampionati mbyll siparin e tij ditën e diel, ku do të shpallen edhe fituesit. Ky është aktiviteti i tretë shahistik ndërkombëtar, që zhvillohet në harkun e një viti në qytetin e Durrësit.