Nga Av. Dorian Mersini

Transformimi i portit të Durrësit si një port turistik, kjo është një iniciativë shumë e guximshme. Duke marrë parasysh që ky port, më i madhi nga 6 portet tregtare (midis Vlorës, Shëngjinit, Sarandës, Porto Romanos dhe Petrolifera), si dhe nyja kryesore detare dhe portuale e vendit, ku kalojnë më shumë se 70% të mallrave të importuara dhe eksportuara në Shqipëri, e bën atë pjesë të rëndësishme në ekonominë blu Shqiptare. Por nuk janë vetëm statistikat mbi lëvizjen e mallrave që çojnë në trajtimin e këtij porti si një nga më kryesorët e Ballkanit. Historia e tij shekullore gjithashtu kontribuoi në zhvillimin e qytetit të Dyrrakium, siç njihet në antikitet, si dhe të gjithë zonës të Shqipërisë së mesme, falë pozicionit të tij gjeografik e komunikimeve tregtare që realizoheshin nëpërmjet këtij porti me Italinë.

Porti i Durrësit sot vazhdon të përpunojë sasi të konsiderueshme mallrash (pothuaj se 4 milion ton në vit ndërmjet importit / eksportit bazuar në statistikat e vitit 2019, para pandemisë Covid). Duke qene se përpunimi i sasisë së mallrave shënon rritje në mënyrë eksponenciale çdo vit, ngre pyetjen: Do të ishte e përshtatshme në këtë kohë të mendonim për hartimin dhe zhvillimin e një porti mallrash, apo një marine jahtesh? Sipas mendimit tim, fillimi i këtyre dy projekteve mund të bëhet paralelisht, duke i dhënë rëndësi përparësive që meritojnë të dy. Sidoqoftë, duke filluar me hartimin e një porti të ri tregtar mallrash dhe kontejnerësh në veri të qytetit të Durrësit, në zonën e Porto Romanos, ku masterplani i zhvillimit duhet të jetë largpamës, që të përmbushë rritjen dhe kërkesat mbi transferimin e mallrave për 50 vitet e ardhshme. Vetëm atëherë një projekt i tillë për një port të madh tregtar, do të çonte sigurisht në transformimin e portit të Durrësit në një Port Turistik dhe Pasagjerësh, dhe jo anasjelltas.

Për të kuptuar më mirë analizën time, unë do t’ju tregoj një histori të jetës profesionale që më ka ndikuar shumë.

“Kur isha 28 vjeç, sapo fillova të punoja në këtë sektor në vitin 2008, mora pjesë në një konferencë mbi logjistikën dhe portet në Reggio Calabria. Isha shumë entuziast për faktin që më kishin ftuar të paraqitja situatën e porteve shqiptare dhe të flisja për projektet e ardhshme të vendit tim. Me guximin e çdo të riu që ulet në këto mjedise profesionale, por pa i njohur njerëzit, dhe pa e kuptuar që zakonisht, ata që flasin më pak, janë ata që dinë më shumë. I nxitur gjithashtu nga energjia e atij momenti, unë prezantova një projekt ambicioz për atë që dukej të ishte porti më i madh i kontejnerëve në Evropën jug-perëndimore. Personalisht, isha plotësisht i bindur se projekti 2 miliardë euro Zumax AG, rreth 3 million kontejnerë në vit, ishte gati të niste në Shqipëri, duke tërhequr trafikun ekzistues drejt këtij realiteti të ri. Sipas gjykimit tim, ishte zbuluar pikërisht në atë moment që vendi ynë ngjasonte me: “ishullin që nuk ekziston, si në përrallën e Piter Pan”, i fshehur dhe izoluar nga tregu ndërkombëtar i transportit, për shkak të periudhës komuniste mbi 50 vjet që vendi im kishte vuajtur. Mendoja se falë vizionit të qeverisë së asaj periudhe, ky ishull me në fund ishte zbuluar dhe ishte bërë pjesë e botës, duke tërhequr interesat e grupeve të mëdha industriale. Pas prezantimit tim, gjatë pushimit të kafesë afrohet një person, i cili, zbulova më pas se bëhej fjalë për një anëtar të familjes Grimaldi, Presidenti i portit të Kontejnerëve Gioia Tauro. Ai në një mënyrë miqësore duke më rrahur supet më thotë: “Shumë interesant prezantimi juaj, nëse realizohet ky projekt, të gjithë do të vijmë të punojmë tek ju në Shqipëri!”. Unë iu përgjigja komentit të tij vetëm duke buzëqeshur, sepse mosha ime e re mund të ma lejonte. Por sot pas gjithë këtyre viteve përvojë, në vend që të buzëqesh përpara projekteve të tilla, dua të bëj pyetjet e duhura teknike dhe të shpresoj në përgjigje bindëse, për çdo projekt që ka të bëjë me sektorin detar të vendit tim”.

Shqipëria nuk e ka luksin të ndalojë një port tregtar, të cilin të gjithë shtetet në kufi me Shqipërinë e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin me kujdes, për shkak të konkurrencës që sjell në tregun e transportit detar, mbi short sea shipping ways. Vendi ynë ka një pozicion gjeografik për tu pasur zili, duke qenë se është lidhja e vetme në distancë të shkurtër me Europën Perëndimore, përmes detit. Për këtë arsye është e nevojshme të veprohet me kujdes dhe shumë profesionalizëm mbi këto nisma. Të mblidhen grupet e interesit (cluster), të cilët përdorin dhe përfaqësojnë lëvizjen e mallrave përmes këtij porti, për të diskutuar çdo kosto dhe problem që mund të lindë, si kur dhe vetëm nga publikimi i lajmeve të tilla. Duhen vlerësuar plotësisht të gjitha pasojat fillestare ekonomike që do të sjellë zbatimi i projektit, me ndalimin e aktiviteteve të transportit tregtar të mallrave në portin e Durrësit.

Në ditët e para të janarit 2021, qeveria shqiptare hapi tenderin për koncesionin e terminalit të kontejnereve brenda Portit të Durrësit. Ky terminal ka qenë në duart e turqve të Kurum sh.a për vite me radhë, dhe në vitin 2019 fillimisht u transferua nën menaxhimin e Autoritetit Portual. Tani ky terminal është ofruar me koncesion përsëri për një periudhë 5 vjeçare, në një konsorcium me qendër në Maltë, “Hili Company Limited”. Sapo lexova lajmet në gazeta, mendova se nuk bëhej fjalë për terminalin ekzistues të portit në Durrës. Ky i fundit, sipas asaj që u proklamua nga qeveria, ishte i destinuar për transformimin e ri si një port turistik, me punimet që do të fillonin gjatë verës së ardhshme nga Grupi Arab EMAAR, me investim prej 2 miliardë eurosh. Por e kisha gabim! Flitej pikërisht për terminalin e kontejnerëve të portit aktual.

Kam kuptuar se në të gjitha këto vite, për fat të keq, shumica e shërbimeve detare që janë transferuar në duar private, pa kryer projekte reale dhe të qëndrueshme fizibiliteti, e kanë bërë praktikën e anullimit të koncesioneve, të shndërrohet në një rregull dhe jo përjashtim. Dhënia e të drejtës për shumë kompani koncesionare, që kanë cuar qeverinë tonë në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit, duke kërkuar shuma të mëdha parash, pikërisht për mos respektimin e kontratës koncesionare, e kanë kthyer këtë praktikë ligjore edhe më fitimprurëse se vetë aktiviteti tregtar që pretendohet të realizohet nëpërmjet tyre.

Gjithësesi jam i sinqertë se Durrësi si një port turistik për jahte të mëdha, krocera dhe tragete, pëlqehet nga të gjithë, perfshi mua! Duke marrë parasysh sot direktivat Europiane për zvogëlimin e ndotjes mjedisore, vizive dhe akustike, shndërrimi i portit të Durrësit në një port të gjelbër (green port), dhe qyteti në një destinacion turistik, është një lajm që më entuziazmon shumë. Por si teknik, para se të ëndërroj me sy hapur, më duhet të shoh plane dhe studime konkrete që marrin parasysh të gjitha efektet e menjëhershme negative dhe pozitive të një projekti të tillë, dhe që me siguri do të ndikojnë në ekonominë e brishtë të vendit tim. Përveç disa lajmeve bombastike që transmetuan lindjen e kesaj ideje, deri më tani nuk është bërë asnjë takim teknik me grupet e interesit për të dëgjuar edhe mendimin e tyre, pasi ata jetojnë dhe punojnë çdo ditë me këtë port. Asnjë studim nuk është bërë, se si ky projekt do te ndikojë në ndryshimin e drejtimit të mallrave që në ditët e sotme përdorin autostradat e detit, përmes kësaj porte detare Ballkanike. Cili shtet portual në kufi me Shqipërinë do të përfitonte nga ky projekt i transformimit të portit të Durrësit? Çfarë pasojash do të ketë ky transferim në kostot e mallrave të domosdoshëm që importohen në Shqipëri nga deti? Si do të ndikohet konsumatori përfundimtar nga e gjithë kjo?

Si do të ndryshojnë marëdhëniet e vendit tonë me vendet e rajonit si: Kosova, Maqedonia, Serbia, etj, të cilat përpunojnë mallrat e tyre nëpërmjet këtij porti, që qeveritë Shqiptare ndër vite e kanë propaganduar se është dhe në shërbim të këtyre shteteve. Cdo të ndodhë me korridoret rrugore që kanë marre fonde të konsiderueshme nga xhepat e taksa paguesve Shqiptare, pikërisht duke lidhur fizibilitetin e tyre me Portin e Durrësit?

Pra pyetje te tilla, nuk kërkojnë ndonjë formim të veçantë per t’i ngritur. Por në të njëjtën kohë duke vepruar sikur Shqipëria të ishte një ishull që nuk ekziston, në duart ekskluzive të qeverive që shkojnë e vijnë, më duket një ofendim i inteligjencës së atyre që punojnë cdo ditë me përkushtim, duke shpresuar zhvillimin e këtij vendi për të ardhmen e begatë të brezave që vijnë pas. /gazetadita