Nga Mila Ballhysa

“Durrësi si Dubai…!” Ky është ndër komentet më ironikë që kam ndeshur në rrjete sociale sa herë nis lexoj reagime të qytetarëve durrsakë, të cilët shprehin indinjatën e tyre për Durrësin e mbytur nga plehrat.

Meqë na është pompuar shumë muajt e fundit projekti ambicioz për shndërrimin e portit të Durrësit në një Dubai të vogël nga kompania Emaar, shumë qytetarë indinjohen sepse në një kohë që na flitet për projekte madhështore me vlerë 2 mld euro, autoritetet hasin vështirësi për të gjetur një zgjidhje për mbetjet urbane, që prej 4 ditësh dergjen rrugëve.

Biznesi, operatorët turistikë, tregtarët ambulantë, fermerët, industria prodhuese etj, të gjithë këta sektorë në Durrës janë të gjithë me sytë nga sezoni turistik i sivjetshëm. Për shumë prej tyre, suksesi i këtij sezoni nënkupton mbijetesën dhe rikuperimin e një pjese të humbjeve të shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia.

Por sezoni turistik duket se është i destinuar të bëjë përpara përkrah kapriçove të pronarëve të landfillit të Sharrës, që në një moment hapin dyert për kalimin e kamionëve dhe në një tjetër moment lënë një qytet të qelbet me erën e mbeturinave që dekompozohen në trotuare.

Nga ana tjetër, autoritetet vendore, të pafuqishme për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, presin nga qeveria ndërhyrjen financiare që do të mundësojë evadimin e mbeturinave urbane nga qyteti.

E ndërsa qeveria është e zënë me projektet madhore që do ta transformojnë Durrësin gjatë mandatit të tretë, qytetarët nxitojnë të kryejnë punët e tyre të përditshme e të gjejnë një vend të freskët për t’i shpëtuar vapës. Një pjesë i drejtohen plazheve, të tjerë udhëtojnë drejt qyteteve të tjera me shpresën që kur të kthehen plehrat të jenë larguar.

Fotoja e realizuar nga gazetari Aldo Mustafa, paraditen e sotme, flet shumë me zbrazëtinë e saj. Një qendër qyteti thuajse bosh, megjithëse në këtë qytet ka aq shumë problematika për të ngritur zërin, pse jo dhe ulëritur.

Një qetësi vrasëse për një qytet. Një qetësi vrastare për qytetarët e tij, që bëhen dëshmitarë të pazëshëm të gjithë mbrapshtive që bëhen në kurriz të tyre. Asnjë nismë sado e vogël për të treguar se nuk dominohemi nga indiferenca.

Fryma e komunitetit është vrarë, prandaj mbizotëron qetësia!