“Nuk është e mbyllur çështja e hartës së re gjyqësore”

Kështu deklaroi nga Durrësi, ministri i drejtësisë Ulsi Manja kur u pyet nga gazetarët për hartën e re gjyqësore.

Ministri saktësoi se tashmë është mbyllur faza e parë e konsultimeve për hartën dhe në fazën e dytë ministria që ai drejton dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor do të marrin për bazë të gjitha sugjerimet e bëra nga Dhomat e Avokatisë, por edhe grupet e tjera të interesit.

Në fillim të muajit shkurt, përfaqësues nga KLGJ u takuan në Durrës me përfaqësues nga Dhoma e Avokatisë Durrës dhe Kavajë, Prokuroria, Gjykatat etj. Prej kohësh, Dhoma e Avokatisë Durrës ka kundërshtuar hartën e re gjyqësore, që i heq qytetit bregdetar Gjykatën e Apelit dhe atë Administrative.

Ndërkohë, zv. kryetari i KLGJ-së Maksim Qoku deklaroi në mbledhje se propozimi për mbylljen e gjykatave po bëhej për shkak të numrit të ulët të çështjeve që ato kishin shqyrtuar përgjatë një viti.

Harta e re gjyqësore parashikon mbylljen e 12 gjykatave të shkallës së parë në rrethe nga 22 që janë deri tani.

Ndërsa nga 6 gjykata apeli pritet të mbesë vetëm 1 në rang kombëtar, kurse gjykata administrative do të jenë vetëm 2, një në Tiranë dhe një në Lushnje.

M.B.