Nga BUJAR QESJA

E mërkurë, 7 prill 2021. Në presidencë është zhvilluar një ceremoni festive, kushtuar dhënies së titullit të lartë “Mjeshtër i Madh”, 3 titullarëve të sportit durrsak. Dy i takojnë basketbollit dhe njëri futbollit. Më parë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” në basketboll e ka marrë Niko Profkola në vitin 2011. Me Gogën dhe Hercekun, shkon në tre numuri i këtij titulli të lartë për basketbollin durrsak. Ndërsa futbollit të Durrësit, pas vëllezërve Ballgjini i shtohet edhe “Mjeshtri i Madh” më i ri. Ai është nga futbollistët më popullorë në Durrës, Maksut Leshteni, që njihet me nofkën “Tuti”.

Ky është një vlerësim i merituar që i bëhet traditave dhe historisë së sporteve të qytetit me shumë tradita të Durrësit, për mijëra sportistë dhe sportiste, fizkulturistë etj. që aq shumë i kanë dhënë krahas sportit lokal por edhe atij kombëtar.

Në tërë karrierën time 50 vjeçare, kam punuar ditë e natë, për t’i mbajtur kurdoherë të ndezura traditat e shkëlqyera që ka Durrësi në të gjitha sportet, por veçanërisht në lojrat me dorë, volejboll dhe basketboll, futboll, not, shah, qitje, çiklizëm, boks, pingpong, atletikë, gjimnastikë, mundje, peshngritje, madje edhe në radioamatorizëm.

Si gjerdan krenarie qendron në sportet e Durrësit dhe angazhimi i dhjetra e dhjetra trajnereve, drejtuesve, specialistëve që punuan shumë, u lodhën shumë dhe nuk u është dhënë asgjë. Ky vlerësim që u bë sot në presidencë, vlen si nxitje për të mos i harruar njerzit tanë të mënçuar dhe aktivë të sporteve, të cilët sido që të jetë janë pjesa jonë më e mirë, mburrja dhe prezantimi ynë më dinjitoz.

Durrësi ka tradita, por duhet të evidentohen. Pena ime nuk është lodhur dhe as ka përt tu lodhur për të evidentuar sa më shumë këtë histori suksesi. Por të gjithë duhet të mundohemi, veçanërisht organet dhe organizmat që e kanë në dorë ta bëjnë këtë punë.

Duke kujtuar emrat e mëdhenj të sporteve të Durrësit, i bëjmë nder jo vetëm atyre por edhe brezave që u rritën dhe u edukuan nga puna dhe shembulli i tyre i jashtëzakonshëm.

Dhimitraq Goga! Nikolla Herczegh! Maksut Leshteni! Morën titullin “Mjeshtër i Madh”. Si gazetar dhe mbrojtës i hershëm i historisë dhe traditave të sporteve në Durrës, nxitoj ti uroj atyre ta gëzojnë këtë titull, paçin jetë dhe shëndet, mbarësi dhe suksese. Ndërsa në rastin e Dhimitraq Gogës, mosharresa detyrë e jona e përjetshme.

Durrës: 7 prill 2021

SKEDA E DHIMITRAQ GOGËS

Datëlindja: 29 qershor 1925

Larguar nga jeta me 28 qershor 2013

– 1937 në moshën 12 vjeçare ka nisur të luajë basketboll në shkollën qytetëse të Durrësit, për ta ndërprerë në vitin 1959.

-1959 – 1976 kreu detyrën e trajnerit.

– Ka marrë pjesë në të gjitha kampionatet kombëtare dhe kupat e Republikës nga viti 1945 – 1959 si titullar i ekipeve të Durrësit në sportet volejboll, basketboll, not, vaterpol, hendboll dhe futboll.

– Në vitin 1947 dhe 1955 pjestar i Lokomotivës kampione në basketboll.

– Është pjesmarrës në aktivitetet ndërkombëtare si titullar i ekipit kombëtar të Shqipërisë:

1. Në vitin 1946 në Split të Jugosllavisë në kampionatin ballkanik të vaterpolos dhe notit.

2. Në vitin 1946 në kampionatin ballkanik të volejbollit Bukuresht – Rumani.

3. Në vitin 1947 në kampionatin europian të basketbollit në Pragë – Çekosllovaki.

4. Në vitin 1947 në kampionatin ballkanik të volejbollit dhe basketbollit në Tiranë.

5. Në vitin 1957 Festivali i 6-të Rinisë botërore në Moskë.

6. Në vitin 1957 titullar në ekipin kombëtar të basketbollit në takimet ndërkombëtare organizuar në Berlin të Gjrmanisë.

7. Në vitin 1957 Kampionati europian i basketbollit në Sofje të Bullgarisë.

6. Trajner i ekipit të të rinjve të Lokomotivës 11 herë kampione e vendit 1959 – 1970.

7. 1972-1974 Ka ushtruar detyrën e shefit të klubit sportiv në Durrës.

8. Trajner i ekipit kombëtar të basketbollit së bashku me Feti Borovën në turneun e famshëm në Kinë në vitin 1974.

9. 1974 – 1976 trajner profesionist i ekipit të basketbollit Lokomotiva për të rritur.

10. Në vitin 1959 ka ndërprerë aktivitetin si basketbollist për të nsiur atë të trajnerit.

11. Është shpallur në pesë basketbollistët më të mirë të vëndit në vitin 1957. Është shpallur në pesë trajnerët më të mirë në vitin 1965.

Është shpërblyer me:

1.Titullin Mjeshtër i Merituar i Sportit

2. Nderi i Sportit Shqiptar

3. Qytetar Nderi I Durrësit

4. Nderi i Qytetit të Durrësit

5. Basketbollisti i shekullit për Durrësin

6. Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë

– 40 vite nga jeta e tij ai ia fali sportit.

– Zotëron gjuhën italiane dhe frënge.

Ka botuar librin “Mesazhe”, si dhe :Kujtime dhe mendime nga një veteran i sportit”. Ka përkthyer dhe përgatitur për botim 300 fabula të Ezopit.

SKEDA E NIKOLLA HERCZEG

– Lindur në Durrës më 3 shtator 1938

– Kombësia hungareze

– Jeta sportive përfshihet në intervalin kohor 1952-1968

– 1955 Kampion Kombëtar me Punën e Durrësit

– 1958, 1959, 1960 Kampion Kombëtar me Partizanin

– 1955 – 1965 Kapiten i ekipit përfaqësues

– 1960 mori titullin Mjeshtër Sporti

– 1957 pjesmarrës në Spartakiadën e ushtrive mike në Laipcig

– Titullar në ekipin përfaqësues në Kampionatin Ballkanik të të rriturve Bukuresht 1958

– Shkëlqen në kampionatin ballkanik të rinjve Bukuresht 1959

– 1960 në përfaqësuesen shqiptare në kampionatin ballkanik në Sofje

– 1963 Kampionati i ushtrive mike në Pekin

– 1963 Turne miqësor në RDP të Koresë

– 1963 angazhohet aktivisht në Lojrat Ndërkombëtare zhvilluar në Ganefo – Xhakartë

– 1968 – 1988 trajner i ekipeve për të rritur femra dhe meshkuj i Teutës

– 1972 në turneun miqësor të Teutës në Kosovë

– Drejton për disa vite edhe ekipin kombëtar të basketbollit për të rinj

– 1988-1993 u jep mësim nxënësve me profil basketbollin

– Është vlerësuar dhe dekoruar me mjaft medalje dhe urdhëra Pune dhe Naim Frashëri.

– 1993 – 1998 trajner me ekipet greke ARQEOS dhe IRAKLIS të qytetit të Patras.

– 1991 i akordohet titulli Mjeshtër i Merituar Sporti

– 1996 i jepet titulli Nderi i Sportit Shqiptar

SKEDA E MAKSUT LESHTENIT

Lindur: Në Durrës,  më 30 Janar 1946

Karriera në futboll:

Luajti me ‘Lokomotivën” në vitet 1964-1978, “Lufëtatarin” 1967, ‘Besën ‘ në ndeshjet për Kupën Ballkanike në vitin 1971 dhe Kupën e Kupëve 1972-1973 dhe eklpin kombëtar 1971-1973 .

Roli në skuadër: Sulmues

Numëri fanellës: 10

Përfshirë sipas një ankete të zhvilluar nga gazeta “Teta Sport” me botues Bujar Qesja në vitin 1999, në 11-tëshin historik të futbollit durrsak.

Vlerësime “Mjeshtër i Merituar”, “Mirënjohja e Qyetit Durrësit” dhe “Nderi Futbollit Shqiptar”