“Daorsa është vajzë e Durrësit, është prodhim i Durrësit, që mbaroi studimet për flaut në Liceun Artistik ‘Jan Kukuzeli’ dhe më pas vijoi thellimin mbi flautin në konservatorin e Milanos.”  

Kështu e nis rrëfimin për jetën e saj Daorsa Dervishi.

Ajo është, jo vetëm flautistja e parë baroke shqiptare, por edhe e përzgjedhura për një premierë botërore. 

“Një arritje tjetër, që është shumë më e freskët, është firmosja e kontratës me shtëpinë diskografike ‘Brilliant Classics’ për prodhimin e dy CD-ve, përmbledhjes së 14 sonatave të kompozitorit anglez John Stanley.

Është arritje, sepse është premierë botërore, pra nuk janë regjistruar më parë këto sonata dhe të kemi një kontratë nga kjo shtëpi na bën shumë krenarë.” 

Këto arritje nuk ia serviri askush, por punoi fort për to. 

Ishte vetëm 18 vjeçe, kur udhëtoi drejt Italisë dhe jeta nuk ishte zemërgjerë me të. 

Vështirësitë kanë qenë nga fakti që isha shqiptare. Shihje atë mosbesimin tek vështrimi i shokëve të klasës/kursit“, tregon ndër të tjera ajo.

Shqipëria jonë e madhe “nuk ka vend” për artin e Daorsës, por ajo kurrë nuk e harron vendlindjen e saj, gjë që shpreson të mos e bëjë asnjë i ri që largohet nga vendi. 

“Vazhdoj me këtë veprimtari në Itali, por kthehem gjithmonë me shumë dashuri në Durrës, në Shqipëri dhe i mbaj kontaktet si me jetën artistike, ashtu edhe me atë emocionale.

Si studente, eksperiencat jashtë janë shumë të bukura, na pasurojnë shumë, por nuk duhet të jetë një largim, duhet të jetë një rikthim. Duhet të jetë një pasurim personal, që i rikthehet vendit“, thotë flautistja duke iu referuar gjendjes aktuale në Shqipëri me largimin e të rinjve.

Ajo vetë u rikthye këtë verë, për të ikur sërish atje ku tashmë ka krijuar një familje.  

Këtë herë, ashtu si çdo herë tjetër, merr me vete edhe shpresën, se shumë shpejt do ta ketë mundësinë të kthehet për ta transportuar publikun shqiptar në një epokë tjetër, me një instrument të vetëm, flautin e saj. 

K.Gj.